Kosova është një rajon me aktivitet sizmik të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet autoktone shumë të forta thotë në një intervistë për motilokal.com Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC). Ai thekson se tërmetet nuk mund të parashikohen dhe as të parandalohen. Sipas tij, Kosova është e rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore si: tërmetet, vërshimet dhe zjarret e pyjeve, duke mos nënvlerësuar as reshjet e mëdha të borës, ortekët, erërat e forta, rrëshqitjet e dheut etj.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Me 26 nëntor Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrues sa që dridhjet u ndien në tërë Kosovën. Sa është Kosova e prirë ndaj tërmeteve?
Fatkeqësisht, tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri ishte një ndër tërmetet më të forta që nga 15 prilli i vitit 1976, ku një tërmet prej 8 ballë goditi Shkodrën dhe Lezhën, ku humbën jetën 40 njerëz dhe u dëmtuan afër 17,118 shtëpi e objekte.
Nga pikëpamja sizmologjike Kosova është një rajon me aktivitet sizmik të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet autoktone shumë të forta. Territori i Kosovës ka disa zona të fuqishme të burimeve sizmike, ose zona sizmogjene siç quhen ndryshe, zona sizmogjene Prizren - Pejë, zona sizmogjene Ferizaj - Viti - Gjilan dhe zona sizmogjene Kopaonik.
Vendi ynë në të kaluarën është ballafaquar me mjaft tërmete. Për periudhën 1999-2018, tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit me datën 24/04/2002, me magnitudë 5.7 shkallë Rihter, me ç’rast kishte humbur jetën një person dhe kishte dëme të konsiderueshme të objekteve.
Një ndër problemet e kësaj periudhe ishin dridhjet e shpeshta, por më e madhe ishte propaganda se do të ketë prapë tërmet dhe 'parashikimet' e shpeshta. Në fakt, a mund të parashikohen tërmetet?
Tërmetet nuk mund të parashikohen e as të parandalohen, por ne mund të mësojmë se si të mbrohemi prej tyre dhe si duhet të veprojmë në raste të tilla. E rëndësishme është që në dridhjen e parë mundësisht të merren masa mbrojtëse.
z. Ahmeti, a mund të na tregoni se cilat masa mund të ndërmerren për t'u shmangur pasojave të mëdha të tërmetit?
Në rastet e fatkeqësive natyrore në rastin e tërmeteve, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve ka prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes dhe shpëtimit.
Mbrojtja, shpëtimi dhe ndihma në rastet e tërmeteve duhet të planifikohen nëpërmjet planeve të reagimit emergjent, plane këto që përgatiten nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse sipas fushave të përgjegjësisë.
Qëllimi i planeve të reagimit emergjent është sigurimi i ndërmarrjes së veprimeve të organizuara dhe të koordinuara për zvogëlimin e pasojave të tyre dhe në rast të fatkeqësisë, të sigurohen sa më shpejt që të jetë e mundur resurse për kërkim-shpëtim, resurse mjekësore për ndihmë të të lënduarve dhe të sigurohen kushtet elementare për jetë të atyre qytetarëve që janë goditur nga tërmetet.
Cilat janë këshillat për njerëzit se çfarë duhet të bëjnë në raste të tërmeteve?
Gjatë një tërmeti është shumë me rëndësi që të ruhet qetësia dhe të mundohemi sa më pak të bëjmë panik, duhet ulur menjëherë në dysheme dhe të mblidhen duart dhe krahët, përpara se tërmeti t’ju rrëzojë, rekomandohet strehimi poshtë një tavoline, apo poshtë ndonjë mobileje që nuk mund të rrëzohet mbi ju. Kur nisin lëkundjet, gjëja më e mirë që duhet të bëni, është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën, dhe të dilni me kujdes nga banesa pas tërmetit, si dhe mos të përdorni ashensorin, sepse gjasat janë të mëdha që mund të bllokohet.
Nëse ndodheni jashtë, duhet lëvizur në një zonë të sigurt nëse keni mundësi, si dhe duhet të shmangen shtyllat elektrike, tabelat, ndërtesat e larta si dhe objektet në ndërtim.
Nëse ndodheni në shkollë, stadium apo teatër, mundësisht duhet qëndruar në vendin tuaj dhe të mbroni kokën dhe qafën me krahë. Është gabim të përpiqeni të largoheni deri sa të mbarojnë lëkundjet fillestare, më pastaj ecni ngadalë duke bërë kujdes nga ndonjë send që mund t’ju bjerë dhe t’ju lëndojë.
Është shumë me rëndësi ta dimë se gjatë tërmeteve duhet qëndruar larg liqeneve, plazheve apo urave, si dhe nëse jeni në automjet shmangni qëndrimin në ura apo rrugë të paqëndrueshme.
Sa është e rrezikuar Kosova nga fatkeqësitë natyrore dhe a ka kapacitete për t'u përballur me to?
Nga hulumtimet dhe analizat e ndryshme të bëra, por edhe duke u bazuar në raportet e publikuara nga institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, Kosova kryesisht rrezikohet nga tri rreziqe natyrore: tërmetet, vërshimet dhe zjarret e pyjeve. Mirëpo, edhe rreziqet e tjera nuk duhet të nënvlerësohen si: reshjet e mëdha të borës, ortekët, erërat e forta, rrëshqitjet e dheut dhe dëmtimet e pendave të liqeneve artificiale. Gjithashtu, rrezik mund të vjen edhe nga faktori njeri, si: sulmet e supozuara terroriste, aksidentet ajrore, hekurudhore, rrugore dhe rrjedhjet e mundshme të materieve kimike dhe naftës.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë miratuar Ligjin për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, që ka për qëllim mbrojtjen dhe shpëtimin e njerëzve, kafshëve, pronave, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit nga fatkeqësitë natyrore dhe të tjera, si dhe kanë hartuar dokumentet bazë siç është Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Emergjencave dhe Plani i Reagimit Kombëtar.
Edhe pse ka një kuadër të konsoliduar ligjor, plane dhe strategji të miratuara, kur jemi të gjendja faktike në terren, në rast të ndonjë fatkeqësie më të madhe natyrore, Kosova nuk mund të thuhet që ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, logjistike dhe operacionale, trajnime dhe ushtrime të mjaftueshme, si dhe pajisje dhe mjete të duhura për të reaguar në këso lloj situata.
Shteti i Kosovës nuk ka asnjë helikopter për ta përdorur në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, edhe pse në disa terrene arritja në cak e automjeteve poseduese në kohë reale është e vështirë e për disa vende duket “mision i pamundur”.
Prandaj, është e domosdoshme ngritja dhe zhvillimi i këtyre kapaciteteve, ndarje më e madhe e mjeteve financiare për investime, si dhe janë më së të nevojshme trajnime, plane dhe përgatitje në vazhdimësi. Ndërsa ushtrimet praktike të koordinuara të të gjitha institucioneve kompetente, janë mënyra më e mirë për të qenë sa më të gatshëm dhe më të përgatitur për t’i përballuar fatkeqësitë e mundshme natyrore.
Hëpërhë kemi mungesë të reshjeve të shiut, por ndodh që kur kemi reshje të mëdha disa vende përmbyten. Sa janë të përgatitura institucionet tona për to dhe a janë në gjendje të paralajmërojnë se do të ketë përmbytje?
Çështja e përmbytjeve apo e vërshimeve sidomos atyre të shpejta është një dukuri e cila çdo ditë e më shumë është duke i goditur vendet e ndryshme të botës dhe të rajonit, prandaj as vendi ynë nuk mund të ketë përjashtim nga kjo. Vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonshme, ku mes tjerash, shkaktojnë dëme të mëdha në tokat bujqësore, në ekonomitë familjare dhe biznese.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në bazë të përgjegjësive ligjore që i ka, bazuar në ligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike duhet të bëjë paralajmërimin e duhur me dhënien e informatave në lidhje me vërshimet e mundshme që mund të ndodhin në zona të ndryshme të vendit, ndërsa institucionet përgjegjëse në Kosovë, si ato qendrore ashtu dhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive që kanë, duhet që me kohë të marrin masat e duhura preventive, në mënyrë që dëmet e mundshme të jenë sa më të vogla.
Çfarë duhet bërë për parandalimin e përmbytjeve?
Mbrojtja nga përmbytjet dhe parandalimi i tyre, kërkojnë̈ qasje serioze dhe afatgjate institucionale.
Institucionet e Kosovës, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive, nuk duhet që të presin përkeqësimin e motit dhe të reshurat atmosferike që shkaktojnë vërshime, dhe tek pastaj të reagojnë. Duhet të reagohet më herët dhe atë para sezonës së reshjeve, të merren masa parandaluese, duhet të bëhet rregullimi i shtretërve të lumenjve, kanaleve kulluese apo prrockave, në mënyrë që të pengohet dalja e ujit nga shtretërit, e që pastaj mund të shkaktojë vërshime, të ndalohet eksploatimi i pakontrolluar i zhavorrit në shtretërit e lumenjve, që ndikon direkt në rrjedhën normale të ujit i cili është i detyruar të del nga shtrati dhe të shkaktojë vërshime, të ndalohet ndërtimi i shtëpive, rrugëve dhe urave në vende që janë̈ të rrezikuara nga vërshimet, të kontrollohen dhe ndalohen prerjet e pakontrolluara të pyjeve në afërsi të zonave vërshuese. Po ashtu qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në lumenj të mos hedhin mbeturina, pasi që ka raste ku në disa lumenj hedhin edhe automjete (të vjetra), si dhe të ketë fonde më të mëdha për masat mbrojtëse.
Të kthehemi pak edhe të një problematikë që ngjet zakonisht në fund të korrave e që është djegia e hamulloreve. Çfarë dëmesh mund të shkaktojë djegia e tyre?
Në bazë të hulumtimeve të bëra nga ekspertët bujqësorë në Kosovë është konstatuar se djegia e hamulloreve ka efekte negative për tokën, duke shkatërruar masën bimore që gjendet në ara. Por për pasojë, këto zjarre po përhapen edhe në pyje duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në to, si dëme ekologjike duke ndotur ambientin nga emetimi i mbetjeve të këtyre zjarreve të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm të të mirave materiale, por po rrezikojnë dhe vet jetën e qytetarëve.
Ngjashëm ndodh edhe zjarret e pyjeve. Si qëndrojmë në këtë aspekt?
Zjarret pyjore dhe fushore janë shumë të shpeshta në Kosovë, sidomos gjatë muajve të verës. Një pakujdesi e vogël, qoftë ajo edhe krejtësisht e paqëllimshme, mund të shkaktojë dëme të mëdha në pyje, në tokat bujqësore dhe në ambientin në përgjithësi. Në shumicën e rasteve faktori njeri është shkaktari kryesor.
Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave si dhe Drejtorit Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim duhet të bëjnë përgatitjet e duhura për parandalimin dhe pakësimin e këtyre zjarreve. Duhet të përfshihet komuniteti lokal i atyre zonave ku zakonisht ndodhin zjarret, qoftë me trajnime të pjesëtareve të komunitetit, qoftë me fletushka vetëdijesuese të përgatitura për mënyrën e parandalimit dhe luftimit të këtyre zjarreve. /Motilokal.com
