Siguria në radhë të parë: Udhëzues për mbrojtës kundër diellit

Siguria në radhë të parë: Udhëzues për mbrojtës kundër diellit

Dielli ka filluar të rrezojë në hemisferën veriore dhe është koha e duhur për të aplikuar mbrojtës kundër diellit në mënyrë që të mbroni lëkurën tuaj.

Ekspozimi ndaj diellit është një domosdoshmëri për mbijetesë. Ekspozimi ndaj dritës së diellit rrit lirimin e hormonit të serotoninës në tru, e cila shoqërohet me nxitjen e humorit dhe i bën njerëzit të ndihen më të lumtur. Gjithashtu, ekspozimi ndaj diellit ndihmon në forcimin e strukturës së eshtrave, shërimin e disa sëmundjeve të lëkurës, rrit sistemin imunitar dhe ndihmon për gjumë më të mirë.

Përveç këtyre të mirave që trupi ynë i përfiton nga rrezet e diellit, ato kanë edhe anët negative. Ekspozimi i gjatë dhe i pambrojtur ndaj dritës ultravjollcë mund të dëmtojë retinën dhe të shkaktojë lodhje. Po ashtu, ekspozimi i tepruar në diell mund të çojë në djegie të rrezikshme, kancer të lëkurës, sëmundjet alergjike dhe plakje të hershme të lëkurës.

Të gjitha këto efekte negative shkaktohen nga rrezet ultravjollcë (UV). Megjithëse atmosfera e Tokës bllokon shumicën e rrezatimit UV të diellit, edhe sasitë e vogla të dritës UV mund të jenë kërcënuese për jetën nëse qëndroni më shumë në diell.

Kështu, duhet përdorur mbrojtëse e sidomos në verë, për t’u mbrojtur nga efektet e dëmshme të rrezeve UV.

Dermatologja Yelda Kapıcıoğlu tha se djegiet nga rrezet e diellit në fëmijërinë e hershme dhe në adoleshencë mund të shkaktojnë sëmundje të lëkurës, duke përfshirë kancerin e lëkurës, të cilat mund të paraqiten me vonë gjatë jetës. "Është e rëndësishme që të përdoren mbrojtëse çdo ditë, madje edhe në dimër," tha Kapıcıoğlu.

Për Kapıcıoğlu, jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit dhe të moshuarit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj ekspozimit të diellit dhe të përdorin mbrojtëse. "Përdorimi i mbrojtësit nga dielli mbron lëkurën nga rrezet e dëmshme e UV-së dhe nga kanceri i lëkurës", shtoi ajo.

Zgjidhni mbrojtësit me mençuri

"Një mbrojtës i mirë duhet të ketë një spektër të gjerë kundër rrezeve UVA dhe UVB," tha Kapıcıoğlu. Spektri ideal është 30 SPF dhe më lart për mbrojtje më të mirë. Një mbrojtës i mirë kundër diellit duhet të jetë gjithashtu i qëndrueshëm ndaj ujit për të mbrojtur lëkurën edhe kur jeni duke notuar.

Këto kremra duhet të aplikohen të paktën 30 minuta para daljes në diell. Gjithashtu, duhet lyer trupin çdo dy orë edhe pas notit apo djersitjes.

Kremrat duhet të përdoren në të gjithë trupin nëse duam ta mbrojmë tërë lëkurën. "Për fytyrën tuaj, sasia ideale e kremit është një e treta e një luge çaji. Nëse vendosni më pak se kjo, mbrojtja nga këto rreze mund të zvogëlohet deri në tetë herë," shtoi Kapıcıoğlu.

Është e rëndësishme të përdorni kremrat më të mirë varësisht nga nevojat dhe lloji i lëkurës suaj. Lloji i kremit që ju e përdorni është krejtësisht personal, për aq kohë sa ai përmban mjaftueshëm SPF. Ka lloje të ndryshme të mbrojtësve kundër diellit si kremra, locion, xhel, pomadë dhe sprej.

Cilat lloje janë më të mira?

* Kremrat janë më të mirë për lëkurën e thatë dhe fytyrën,

* Mbrojtësi në formën të xhelit është më i mirë për kokën,

* Për foshnjat dhe ata me lëkurë të ndjeshme, është mirë të zgjedhet mbrojtësi dermatologjik,

* Nëse dëshironi të përdorni mbrojtës, konsultohuni me dermatologun tuaj për llojin më të mirë dhe për llojin e lëkurës.

Mungesa e vitaminës D

Vitamina D është një faktor i rëndësishëm për një trup të shëndetshëm. Vitamina D ndihmon të keni kocka të forta duke rregulluar nivelet e kalciumit. Ruajtja e sasive adekuate e vitaminës është thelbësore për shëndetin e eshtrave. 

Personat, të cilët kanë mungesë të vitaminës mund të vuajnë apo të kenë simptoma të dhimbjeve të muskujve, dobësinë e muskujve dhe dhimbjeve të eshtrave. Në raste të rënda, duke zvogëluar absorbimin e kalciumit, mungesa e vitaminës mund të çojë në zbutjen e kockave dhe strukturën e kockave, duke rritur rrezikun e deformimeve skeletore, osteoporozën dhe frakturat. 

Megjithatë, ekziston një besim i rremë se nëse përdorni mbrojtës çdo ditë, ju mund të bllokoni marrjen e vitaminës D. Studimet nuk kanë gjetur asnjë tregues se përdorimi i përditshëm i mbrojtësve kundër rrezeve të diellit çon në pamjaftueshmërinë e vitaminës D. Në fakt, njerëzit që përdorin përditë mbrojtës mund të mbajnë nivelet e tyre të vitaminës D. /Motilokal.com/