Kina po bën përpjekje të mëdha për t'u bërë një nga fuqitë kryesore në hapësirë dhe tani qëllimi i saj i ri është të gjejë planetë të banueshëm të ngjashëm me Tokën.
Kina së fundi nisi roverët e parë në Hënë dhe Mars dhe ndërtoi stacionin e saj hapësinor dhe tani Agjencia Kineze e Hapësirës po i bashkohet një gare që synon gjetjen e ekzoplanetëve të banueshme. Këtë muaj, shkencëtarët do të publikojnë një plan të detajuar të misionit të parë që synon zbulimin e ekzoplanetëve të Tokës 2.0.
Ekzoplanetë është një term që përdoret për të gjithë planetët jashtë sistemit tonë diellor dhe qëllimi është të gjejmë ata që janë të ngjashëm me Tokën dhe që orbitojnë në zonën e banueshme të diellit të tyre. Shkencëtarët besojnë se një planetë i tillë hipotetik Toka 2.0 mund të ketë kushte ideale për të mbajtur jetën.
Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) njoftoi së fundmi se zbuloi më shumë se 5000 ekzoplanetë, kryesisht falë teleskopit Kepler, i cili pushoi së funksionuari në 2016. Megjithatë, asnjë nga këta planetë teknikisht nuk i përshtatet përkufizimit të Tokës 2.0 sepse ata nuk orbitojnë në një zonë të banueshme të diellit të ngjashme me tonin.
Agjencia Kineze e Hapësirës shpreson të jetë e para që do të bëjë zbulimin dhe projekti i saj i ri financohet nga Akademia Kineze e Shkencave dhe është ende në fazën e projektimit. Një vlerësim i panelit të ekspertëve pritet në qershor.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, ai panel do t'i japë ekipit "dritën e gjelbër" për të filluar ndërtimin e satelitit të tyre. Observatori hapësinor duhet të lëshohet nga raketa Long March deri në vitin 2026.
Sateliti i ri i Kinës është projektuar për të mbajtur shtatë teleskopë, gjashtë prej të cilëve do të eksplorojnë konstelacionin Cygnus-Lyra, i cili u vëzhgua gjithashtu nga teleskopi Kepler i NASA-s. Sateliti do të ketë kapacitetin për të vëzhguar rreth 1.2 milion yje me një fushë shikimi pesë herë më të gjerë se ajo e Keplerit. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të vëzhgojnë yje më të errët dhe më të largët në krahasim me satelitin operacional të NASA-s TESS, i cili vëzhgon yjet më afër Tokës.
“Sateliti ynë mund të jetë 10 deri në 15 herë më i fuqishëm se Kepleri i NASA-s kur bëhet fjalë për kapacitetin për të eksploruar qiellin”, tha Jian Ge, një astronom që drejton misionin Toka 2.0.
Teleskopët do të zbulojnë ekzoplanetët duke zbuluar pika në shkëlqimin e yjeve, të cilat do të jenë dëshmi se planeti po rrotullohet. Teleskopi i shtatë do të përdoret për të kërkuar ekzoplanete që nuk rrotullohen rreth yjeve, si dhe ato që rrotullohen larg yllit të tyre.
Në kërkimin e tyre për planetin Tokë 2.0, shkencëtarët duhet të konfirmojnë se ai ka një orbitë të ngjashme me Tokën dhe se ai rrotullohet rreth diellit rreth një herë në vit. Prandaj, sateliti kinez do të programohet në një pjesë veçanërisht "të dendur" të Rrugës së Qumështit për një periudhë katërvjeçare.
"Ne presim shumë të dhëna, ndaj na duhet gjithë ndihma që mund të marrim. Misioni Toka 2.0 është një mundësi për bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar", përfundoi Ge./Motilokal.com
