Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka dhënë një kredi prej 5 milionë euro për të ndihmuar përmirësimin e efikasitetit të energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë.
Sipas njoftimi, fondet do të përdoren për të financuar masat e efikasitetit të energjisë në ndërtesat në pronësi komunale, duke përfshirë kopshtet e fëmijëve, shkollat dhe qendrat e kujdesit shëndetësor parësor.
Përveç kësaj, Bashkimi Evropian (BE) ka ofruar një grant investimi prej 1 milion euro nga Programi Rajonal i Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor.
BE-ja thotë se investimi është pjesë e angazhimit më të gjerë të Prishtinës në programin e BERZH për Qytetet e Gjelbërta, i cili mbështet qytetet për të investuar në infrastrukturën e gjelbër dhe të qëndrueshme dhe për të adresuar sfidat kryesore mjedisore.
“Ju njoftojmë se, Banka Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim ofron kredi të butë në shumën prej 5 milionë euro, të komplementuar nga një grant investimi në shumën prej 1 milion, për të asistuar në implementimin e projektit “Korniza e Qyteteve të Gjelbra – Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prishtinë”, dhe njëkohësisht të mobilizojë një grant teknik me një shumë prej 315.000euro për implementimin e elementeve të caktuara të projektit”, thuhet në komunikatën e komunës së Prishtinës.
Ndërsa sot, Kryetari Rama me BERZh institucionalizuan bashkëpunimin nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Kredisë për implementimin e këtij projekti, i cili ka për qëllim investimin në masat për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike (kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor primar) duke përmirësuar dhe ndërruar sistemet e ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dyerve dhe dritareve më efiçiente.
“Komuna e Prishtinës është tejet e përkushtuar për të shtyrë përpara projekte të cilat janë në harmoni me ruajtjen e ambientit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e energjisë efiçiente, për të zvogëluar nivelin e ndotjes së ajrit në Kryeqytet dhe më gjerë”, theksohet në njoftim./Motilokal.com
