Agjërimi i muajit të Ramazanit, respektivisht abstenimi nga ushqimet dhe pijet, përveç anës shpirtërore sjell me vete edhe një mori efektesh pozitive shëndetësore.
Edhe pse bazë e agjërimit është mosngrënia, kjo nuk do të thotë që të injorohet ngrënia, meqë gjatë muajit të Ramazanit, një 24-orësh është i ndarë mes konsumit dhe jokonsumit ushqimor.
Se cilat janë efektet apo ndikimi i agjërimit në trupin dhe shëndetin e njeriut, tregon në një intervistë për motilokal.com mjeku dhe nutricisti sportiv, Agron Rexhepi.
Rexhepi thotë se rreth ndikimit të agjërimit në trupin e njeriut janë bërë hulumtime të shumta nga shkencëtarë të shumtë anë e mbanë botës. Ai shpjegon se njeriu përbëhet nga komponenti shpirtëror dhe trupor dhe pikërisht agjërimi ndikon në kalibrimin apo harmonin mes këtyre dy komponentëve, duke rregulluar komponentin trupor, po ashtu rregullon edhe atë shpirtëror.
Intervistoi: Shkelzen Rrecaj
Agjërimi i muajit të Ramazanit është shtylla e katërt e Islamit, që është privimi nga ushqimi. Përveç të mirave në aspektin fetar apo shpirtëror që ka ky muaj, cilat janë dobitë shëndetësore të agjërimit?
Krijesa njeri përbëhet nga komponenti trupor dhe shpirtërore. Mirëqenia e këtyre dy komponentëve padyshim që është domsodoshmëri e një shëndeti të mirë, sigurisht që vetëm në një trup të shëndetshëm do të kemi një shpirt të shëndetshëm. E kur këto dy komponente të jenë të ekuilibruara, atëherë edhe njeriu do të jetë i pranuar për shoqërinë dhe anasjelltas. Po ashtu, është më se e vërtetë që me argumente shkencore mund të vërtetohet se nuk ka obligim që Zoti i ka bërë njeriut, e ai obligim të mos jetë tërësisht në të mirën e njeriut. Nga aspekti shkencor dhe mjekësor me agjërim nënkuptojmë një formë të dietës, e cila karakterizohet me abstenimin e përkohshëm nga një lloj, disa lloje apo të gjitha ushqimet, ndërkaq agjërimi në Islam nënkupton edhe më shumë se kaq. Në Islam për një kohë të caktuar agjëron e tërë qenia e njeriut, komponentet shpirtërore dhe trupore. Agjëron goja, syri, veshi, trupi, mendja si dhe abstenimi i plotë për kohë të caktuar nga marrëdhëniet intime ndërmjet bashkëshortëve.
Njeriu prej se ekziston ka agjëruar në forma të ndryshme, qoftë me qëllim të kryerjes së obligimit që i është bërë nga Krijuesi i tij (në të gjitha religjionet në forma të ndryshme bëhet agjërimi), qoftë për qëllime mjekësore (Hipokrati, Sokrati, Galeni, Paracelsiusi nga kohët e mëhershme, si dhe shumica e mjekëve të tanishëm preferojnë forma të ndryshme të agjërimit si metodë kuruese).
Për ndikimin e agjërimit në shëndetin e njeriut janë bërë dhe vazhdon të bëhen hulumtime të shumta. Vlen të përmendet hulumtimi i dr. Herbert Shelton, i cili e ka hulumtuar ndikimin e agjërimit te njerëzit për 50 vite me radhë. Po ashtu, hulumtime të shumta janë bërë rreth ndikimit të agjërimit te të sëmurët nga sëmundje të ndryshme (kardiovaskulare, endokrine, nervore, etj). Rezultatet janë shumë të ngjashme dhe që të gjitha flasin për ndikimin pozitiv të agjërimit në shëndet. Sigurisht, me rëndësi që çdo i sëmurë para se të hyjë në agjërim të konsultohet paraprakisht me mjekun e tij.
Dobitë shëndetësore të agjërimit janë të shumta si në komponentin shpirtëror (psikik) ashtu dhe në komponentin trupor (fizik). Agjërimi ka ndikim të mirë në:
- Kontrollimin e peshës trupore;
- Rritjen e vetëkontrollit;
- Depresion (veprim antidepresiv);
- Në frenimin e përparimit të sëmundjeve së Alzheimer-it dhe Parkinsonit;
- Uljen e nivelit të LDL;
- Uljen e shtypjes së gjakut;
- Rritjen e ndjeshmërisë së organizmit ndaj veprimit të insulinës;
- Ekonomizimin e punës së zemrës, mëlçisë dhe veshkave;
- Sëmundjet degjenerative të eshtrave;
- Në disa lloje të sëmundjeve malinje (frenon zhvillimin e qelizave malinje);
- Disa sëmundje të sistemit tretës, etj.
A mund të ketë anë negative agjërimi?
Meqenëse qëllimi i agjërimit është të fuqizohet shëndeti psiko-fizik i njeriut, ka disa raste kur nuk preferohet, si p.sh. çdo person i sëmurë tek i cili agjërimi do të mund të ndikonte në shtyrjen e procesit të shërimit apo përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore; personat me sëmundje malinje të mëlçisë e kanë të ndaluar të agjërojnë, gjithashtu nuk janë të obliguar të agjërojnë gratë shtatzëna dhe gjidhënëse, fëmijët para pubertetit. Personat me diabet duhet konsultuar me mjekun gjegjës për të vërtetuar gjendjen e tyre. Nëse nuk ka lëkundje të mëdha të vlerave të sheqerit në gjak dhe sëmundja është nën kontroll, atëherë preferohet agjërimi, por gjithnjë me kujdes.
Dr. Rexhepi, a e rrezikon shëndetin e njeriut agjërimi i gjatë?
Në kushte normale agjërimi nuk e rrezikon shëndetin e njeriut, përkundrazi siç theksova edhe me parë mund të ketë ndikim pozitiv. Nuk ka ndonjë obligim që njeriut i është bërë nga Zoti i Madhëruar dhe të mos jetë në tërësi në të mirë të njeriut.
Ç’është më e pëlqyer të hamë e të pimë në iftar dhe syfyr?
Në përgjithësi mënyra më e mirë e të ushqyerit të shëndetshëm gjatë muajit të Ramazanit është që të ushqehemi tri herë: një ushqim i lehtë për iftar, prishje e agjërimit me një gotë ujë 250 ml, 3 kokrra hurma. Të pihet një supë perimesh dhe pas namazit të mbrëmjes të hahen pemë (mund të jetë sallatë pemësh).
Nga iftari deri pas namazit të teravisë të pihen lëngje në formë të çajit dhe të hahen pemë. Pas namazit të teravisë të hahet një darkë diçka më kalorike (40% karbohidrate, 40 % proteina dhe 20 % yndyra).
Për syfyr e mjaftueshme kishte me qenë një gotë kos me një lugë vaj ulliri, një lugë të vogël farë të zezë dhe një lugë të mesme farë liri. Kjo përzierje do të duhej të përgatitet në iftar dhe të hahet në syfyr me një rriskë bukë (sipas dëshirës).
Nga cilat ushqime duhet të kemi kujdes në muajin Ramazan?
Në syfyr duhet shmangur ushqimet e njelmëta dhe turshitë meqenëse shkaktojnë etje; ushqimet e ëmbla shkaktojnë hipoglikemi dhe uri të hershme; pijet e kafeinizuara rrisin diurezën – urinimin dhe me këtë largimin e lëngjeve nga organizmi.
Shumë persona që agjërojnë merren me aktivitete fizike. A duhet stopuar aktiviteti fizik gjatë këtij muaji?
Ecja e shpejtë, zgjatja e muskujve dhe ushtrimet e lehta tonifikuese janë aktivitete fizike të preferuara për agjëruesin. Aktivitetet fizike mund të bëhen në çdo kohë të ditës, por më e preferuar është që të bëhen para iftarit (përfundimi i aktiviteteve fizike të bëhet afërsisht 20 – 30 minuta para iftarit). Ndërsa ushtrimet më intensive të bëhen pas iftarit. Hidratimit duhet t’i kushtohet shumë rëndësi. Ndërkaq, agjërimi si agjërim sipas hulumtimeve të FIFA-së nuk ka ndikim negativ në performancat e sportistëve. Për agjëruesit që nuk janë sportistë, duhet patur parasysh që gjatë kohës së agjërimit të mos praktikojnë jetën pasive, por gjithsesi jeta e tyre të fizikisht aktive, të paktën ajo më e vogla që mund të bëhet është zgjatja e muskujve dhe shumë e preferuar është ecja, sidomos për personat me mbipeshë dhe kjo ecje preferohet 1 deri 2 orë para iftarit.
Dhe për fund, pas 30 ditë agjërim, çfarë duhet bërë për t’ia ripërshtatur trupin një ritmi ushqimor normal?
Ashtu siç preferohet që organizmi dy javë më herët të parapërgatitet për fillim të agjërimit, ashtu preferohet që edhe fundi i agjërimit të jetë gradual me përshtatje të organizmit në rikthim në gjendjen e mëparshme. Hulumtuesit dhe nutricistët e shumtë preferojnë që njeriu nëse dëshiron të ketë shëndet të mirë të vazhdojë me agjërim dy ditor në javë (p.sh. e hënë dhe e enjte). Kjo kishte me qenë më e mira për ata që mendojnë dhe dëshirojnë që në vazhdimësi të kenë të mira shpirtërore dhe trupore nga agjërimi./Motilokal.com
