Kosova pritet të bëhet me termocentralin me të madh diellor në Evropë. Projekti “Solar4Kosovo’’ do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë e që do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK). Me këtë projekt sistemit të ngrohjes së Prishtinës do t'i shtohen rreth 70 MW.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) Liburn Aliu, përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se është bërë sigurimi i lokacionit për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë "Solar4Kosovo", i cili po fillon të jetësohet në Kosovë.
Ky është projekti i parë diellor në shkallë të gjerë në sektorin publik të Kosovës, dhe i pari projekt që ka për qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike.
“Sot, bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, drejtorin e Bankës Gjermane për Zhvillim, René Eschemann, dhe kryetarin e komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, vizituam lokacionin e këtij projekti në komunën e Obiliqit”, ka shkruar Aliu.
Nga ky bashkëpunim i ndërsjellë do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit tonë, me ç’rast:
- Do të ju sigurohet kyçje në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo rreth 60.000 banorë;
- Do të reduktohet emetimi i dioksidit të karbonit për 40.000t në vit;
- Do të shtohen kapacitetet me rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë;
- Do të reduktohet kërkesa për energji elektrike për qëllime të ngrohjes;
- Do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2./Motilokal.com
