Përurohet parku i erës 'Selac Windpark', Kurti: Projekti më i madh i investuar në Kosovë

Përurohet parku i erës 'Selac Windpark', Kurti: Projekti më i madh i investuar në Kosovë

“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të rinovueshme” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  në ceremoninë e inaugurimit të parkut të ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës. 

Në këtë ceremoni, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock,  kryeministri Kurti vlerësoi këtë investim strategjik dhe veçanërisht përkushtimin e ministres gjermane Baerbock për zhvillimin e Kosovës. 

“Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të heqim gradualisht qymyrin duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”, tha kryeministri Kurti. 

Teksa i ka përmendur aspektet pse është i rëndësishëm ky investim, i cili do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë, do të ulë emetimet e CO2 dhe po ashtu do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji, kryeministri theksoi se është e qartë që në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme.

Shefja e diplomacisë se Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se me këtë investim, qytetarëve do t’u mundësohet të kenë ajër të pastër. Sipas saj, ky është hap i mirë për kalimin e Kosovës në energji të gjelbër.

“Është projekti më i madh në historinë e  Kosovës së pavarur. Shumë kompani nga Gjermania kanë punuar për të shndërruar këtë në realitet. Projekti përfshin edhe investime të shteteve që së fundmi e kanë njohur Kosovën dhe këtë që ka bërë së fundmi, Izraeli. Parku i erërave është dëshmia e zhvillimit të arriturës ekonomike. Ju përgëzoj për atë që është bërë deri më tani. Ne jemi të lumtur që kjo do të jetë shtatë vjet për ndërtimin e parkut të erës”, tha ajo.

Projektet për prodhimin e rrymës nga era në Bajgorë janë zhvilluar nga kompania kosovare-gjermane-izraelite SOWI Kosovo.

Përfaqësues i SOWI Kosova, Felix Cornelius tha se në këtë hapësirë janë vendosur 27 turbina për prodhimin e energjisë të parkut me erë.

“Ndërtimi i këtij parku të erës ka qenë kërkesë dhe detyrë shumë e madhe. Këtu 27 turbina që janë në kombinim me furnizim të rrymës dhe 30 megavat. Përveç kësaj në pjesën malore 40 kilometra në këtë 800 metra në lartësi mbidetare. Për këtë projekt ka qenë kompania Notos, kemi marrë mbështetje të jashtëzakonshme prej disa ndërmarrjeve ndërtimore të shumta nga Kosova. Në këtë rrugëtim kemi krijuat edhe miqësi. Realizimi i suksesshëm i këtij projekti ndihmon shumë në Kosovë. Përveç që ka edhe vazhdimësinë e mbështetjes në bashkëpunimin e më së paku tetë shteteve të ndryshme. Ky park i erës është hapur në një moment kryesor për problemin me energji. Ne po ballafaqohemi me sfida për ndryshimet klimatike me luftën e tmerrshme në Ukrainë”, tha ai.

Janë gjithsej tri projekte të ndara të emëruara ‘Selaci 1’; ‘Selaci 2’ dhe ‘Selaci 3’, secila me nga 35 megavat në orë fuqi të instaluar. Fuqia e përgjithshme e instaluar e projekteve është 105 megavat në orë.

Sipas përllogaritjeve, projektet do të prodhojnë rreth 320 gigavat orë energji elektrike në vit dhe kanë jetëgjatësi prej 25 vitesh./Motilokal.com