Ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është shprehu sot se kriza energjetike nuk ka nisur me luftën në Ukrainë, por ka kohë që është e pranishme në vend.
Ajo ka shtuar se qeveria ka marrë masa për të mirë menaxhuar kaskadën e Drinit, për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë së importuar.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin, Edi Rama mbi ndikimin e luftës në Ukrainës në çmimet e energjisë dhe naftës, Balluku theksoi se, “në tre muaj e parë të këtij viti ne kemi blerë energjie edhe me 500 euro për MWh, ndërsa çmimi energjisë nga importi, rrezikon që të shkojë deri në 1000 euro për MWh, nga 51 euro që paguhej një vit më parë”.
“Ne përdorim gjithmonë kaskadën. Megjithatë ky do të vazhdojë të jetë një vit i thatë. Sot po blejë në treg me 550 euro megavat dhe pritet rritje. Do të desha që çfarë thashë deri tani ta përkthej në shifra. Në muajin shkurt është blerë me 230 euro dhe pritshmëria për muajin mars do të jetë 500 euro pra dyfish i asaj që kemi blerë në janar”, u shpreh ajo.
Parashikimi për blerjen në muajin mars me çmimin që ju thashë është 100 milionë euro ndërsa në prill është 134 milion euro. Në total deri në muajin e katër të këtij viti do të arrijë deri në 320 milion euro. Pritet që çmimi të shkojë mijë euro për megavat”, tha Balluku.
“Qeveria do të vazhdojë që të mbrojë abonentin familjar. Pavarësisht se kostoja është rritur gati me dhjetë herë i energjisë, konsumatori vijon që ta marrë me të njëjtin çmim”, deklaroi Balluku.
Sakaq, kryeministri Edi Rama njoftoi sot ngritjen e një komisioni të posaçëm për përballimin e pasojave të luftës Rusi-Ukrainë. Sipas tij, vendi ynë nuk rrezikohet nga ndonjë agresion ushtarak, por ai ekonomik./Motilokal.com
