Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka publikuar një shkrim dhe disa foto të zambakut të bardhë të ujit në disa liqene shqiptare. Përveç të mirënjohurit Liqenit të Luleve, një nga 7 liqenet e Lurës, ky zambak zbukuron dhe liqenin e Shkodrës, shkak për të cilin organizohen dhe shumë ture turistike, zbukuron liqenin e Valamarës në Dibër dhe liqenet e Kacnisë mes Matit dhe Dibrës, Liqenin e Dushkut në Gramsh si dhe liqenin e Safaranit, një nga liqenet e Dumresë në Belsh. Ky zambak ka dhe vlera mjekësore. Farat e tij qetësojnë nervat dhe ndërpresin të marrët e mendjes, përmirësojnë oreksin, etj. Ndërsa këngëtarët i përdorin për të forcuar kordat e zërit. Lëngu i luleve përdorej për të larguar dhembjen e dhëmbëve.
Legjenda e Liqenit të Luleve
Në Lurë ky zambak ka dhe një legjendë. Në shekullin XV, në kohën e Skënderbeut Shqipëria jeton periudha lavdie. Turqit marrin informacion se shqiptarët i bëjnë armët në malet e Lurës dhe një natë të errët, turq të panumërt rrethojnë Lurën. Ndonëse të zënë në befasi, Lurianët organizojnë mbrojtjen. Krahas burrave me një trimëri të rrallë luftojnë edhe gratë. Sulltani në inat e sipër jep urdhër që gratë e plagosura rëndë e të zëna rob, të mbyten në një nga liqenet e Lurës.
Legjenda thotë se në vendin ku u mbytën gratë, në mëngjes mbinë lule të bukura e te bardha si ato vetë. Në mbrëmje ose kur i këput këto lule mbyllen, kurse në mëngjes çelen përsëri.
Prej këtej liqeni ka marre emrin Liqeni i Luleve. Ky liqen ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës, në lartësinë mbi 1600 m të malit të Kurorës së Lurës. Përbën një liqen akullnajor, me sipërfaqe rreth 45 ha. Ka ujë të pastër si kristali dhe të ftohtë. Është i pasur me një botë të gjallë të larmishme dhe formon një ekosistem interesant të liqeneve alpinë me bukuri të rrallë./Motilokal.com
