Sondazh: Tre në katër njerëz duan që plastika njëpërdorimshe të ndalohet

Sondazh: Tre në katër njerëz duan që plastika njëpërdorimshe të ndalohet

Sipas një sondazhi të publikuar të martën, 75 për qind e njerëzve anembanë globit duan që plastika njëpërdorimshe të ndalohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Gjetjet vijnë ndërsa anëtarët e Kombeve të Bashkuara përgatiten të fillojnë bisedimet për një traktat global për të frenuar ndotjen në rritje nga plastika.

Përqindja e njerëzve që bëjnë thirrje për ndalime është rritur në 71 për qind që nga viti 2019, ndërsa ata që thanë se preferonin produkte me paketim më pak plastik u rrit në 82 për qind nga 75 për qind, sipas sondazhit të IPSOS.

Aktivistët thonë se rezultatet i dërgojnë një mesazh të qartë qeverive që do të mblidhen në Nairobi, Kenia, këtë muaj për të vazhduar përpara me një traktat ambicioz për të trajtuar mbetjet plastike.

Është një marrëveshje që shpallet si pakti më i rëndësishëm mjedisor që nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike në 2015.

"Njerëzit në mbarë botën i kanë bërë të qarta pikëpamjet e tyre", tha Marco Lambertini, drejtori i përgjithshëm i WWF International.

“Përgjegjësia dhe mundësia janë tani mbi qeveritë që të miratojnë një traktat global të plastikës...kështu që ne mund të eliminojmë ndotjen plastike”.

Gati 90 për qind e të anketuarve thanë se mbështesin një traktat, por mbetet për t'u parë nëse ndonjë marrëveshje e tillë do të fokusohet në grumbullimin dhe riciklimin e mbetjeve apo do të marrë masa më radikale, si frenimi i prodhimit dhe përdorimit të plastikës së hedhur.

Reuters zbuloi javën e kaluar se grupet e mëdha të naftës dhe industrisë kimike po hartonin strategji për të bindur pjesëmarrësit e konferencës të refuzonin çdo marrëveshje që do të kufizonte prodhimin e plastikës, e cila është bërë nga nafta e gazi dhe një burim kryesor i të ardhurave të tyre.

Nëse OKB-ja nuk mund të bie dakord për një marrëveshje për të vënë frenat ndaj ndotjes plastike, do të ketë dëme të gjera ekologjike gjatë dekadave të ardhshme, duke vënë speciet detare në rrezik zhdukjeje dhe duke shkatërruar ekosistemet e ndjeshme si shkëmbinjtë koralorë dhe shkurret apo pyjet e detit, sipas një studimi të publikuar nga WWF.

Ka të ngjarë të duhen të paktën dy vjet për të finalizuar çdo traktat. Por çfarëdo që është rënë dakord në konferencën e Nairobit nga 28 shkurt deri më 2 mars do të përcaktojë elementët kryesorë të çdo marrëveshjeje.

Mbështetja më e madhe për ndalimet e plastikës për një përdorim në sondazh erdhi nga vendet si Kolumbia, Meksika dhe India./Motilokal.com