Kumbaro: Pastërtia e plazheve, prioritet për sezonin turistik

Kumbaro: Pastërtia e plazheve, prioritet për sezonin turistik

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë një takimi në qytetin e Sarandës, theksoi se pastërtia e zonave turistike dhe disiplinimi i plazheve janë prioritete të punës përgatitore për sezonin turistik.

“Në 27 janar Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit kanë hapur sistemin online përmes akshit të aplikimit të stacioneve të plazhit, të cilat mund tu jepen për menaxhim subjekteve private. Kjo datë erdhi pas 4 muaj punë shumë intensive midis ministrisë dhe të gjitha bashkive të bregdetit, përfshirë edhe bashkinë e Sarandës për të saktësuar parcelat për të bërë hartëzimin e bregdetit dhe sidomos për të shmangur mbivendosjet”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se nga një analizë që i bëmë vitit 2021 konstatuam që bashkitë i organizonin hartat në mënyra të ndryshme. Nuk mund të tolerojmë më, pasi plazhet nuk janë të askujt, plazhet janë pronë publike”.

Sipas saj, kjo është arsyeja se përse rregullat e menaxhimit të plazheve, kriteret i përcakton VKM duke u njohur tagrin e menaxhimit institucioneve publike siç është pushteti vendor dhe pushteti qendror.

“Detyrimi për çdo subjekt që aplikon për të marrë një stacion plazhi, për të mos qenë debitor në sistemin e tatimeve vendore apo qendrore është kusht i panegociueshëm”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit shumë fort i monitoruar nga Ministria e Turizmit do të marrë 10 ditë kohë, pra në 10 mars do të ketë bërë shqyrtimin e aplikimeve dhe do të dërgojë përgjigjet e para për refuzim për mosplotësim kushtesh apo për miratim paraprak nëse kushtet e subjektit janë plotësuar.

“Detyrimi për të pasur një njësi sanitare është kusht i panegociueshëm, detyrimi për të pasur vrojtues të plazhit është kusht i panegociueshëm gjithashtu”, deklaroi Kumbaro.

Duke folur për pastrimin e mbetjeve, Kumbaro tha se vija bregdetare është pronë publike. Do të këtë një grafik të caktuar të bërë nga bashkia ku çdo subjekt ti nxjerrë mbetjet e veta vetëm një herë në ditë. Mosrespektimi i këtij rregulli do të jetë i ndëshkueshëm. Po përgatis vendimin e Komiteti të Turizmit dhe urdhrin e ministrit që parashikon ndëshkimin nga Inspektorati Kombëtar për subjektet, hotelet që nuk respektojnë këto rregulla./Motilokal.com