Voskopoja është një prej fshatrave, ku kultura, tradita dhe peizazhi unifikohen në mënyrë harmonike për t'i dhënë asaj vlera turistike të përhershme.
Ajo është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korҫës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit.
Voskopoja, është një fshat turistik ku ndërthuret magjishëm gjelbërimi, ngjyrat e vjeshtës e tashmë bora që ka mbuluar çatitë e shtëpive të gurta.
Fshati është i njohur për qytetërimin e tij shumëshekullor, peizazhin mahnitës, kishat dhe afresket e shumta, të cilat bartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore si dhe ushqimet, gatimet tradicionale.
Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar./Motilokal.com


