Habitatet e kaprollit (Capreolus capreolus Linnaeus, 1758) janë bukur të shumta në Kosovë. Në Librin e kuq të Faunës së Kosovës, kjo kafshë e urtë përshkruhet se gjatë stinës së verës ngjyra e trupit është e kuqërreme, kurse gjatë dimrit kafe e mbyllët apo e përhime. Gjatësia trupore sillet prej 0.9 – 1.3 m, lartësia trupore midis 66 – 88 cm dhe pesha trupore prej 15 – 35 kg. Mashkulli ka brirë me gjatësi prej 20 – 25 cm, të mbështjellë me një shtresë lëkurore, të cilët ndërrohen periodikisht.
Është shtazë më shumë aktive natën se sa ditën. Nuk migron e as bie në letargji. Ushqehet me një numër të madh të llojeve bimore, gjethe, fara, fruta, bulëza, barishte etj. Është pre e ujkut, rrëqebullit, dhelprës, etj. Kaprolli jeton i vetmuar, por femra me pasardhësit jetojnë në grupe më të mëdha familjare ose më të vogla, në varshmëri edhe nga biotopi dhe dendësia e popullatës. Jetëgjatësia e këtij lloji është deri në 15 vjet (Danilkin 1996).
Lloji i habitatit: 4 Pyje; 3. Shkurre; 4. Kullosa; 14. Artiiciale/tokësore. Mund të haset zakonisht në zonat pyjore të hapura gjetherënëse ose gjethembajtëse dhe me një vegjetacion të dendur bimor. Parapëlqen vende të pasura me kullosa, shkurre dhe sipërfaqe me kultura bujqësore
Përhapja në Kosovë
Shkrel, Malaj, Mushtisht, Bjeshkët e Junikut, Kaçandoll, Svilen, Llanisht, Nikoc, Jezerc, Vilan, Tunaj, Bjeshkët e Strellcit, Bjeshkët e Belegut, Kozhnjer.
Trendi i popullatës: Në rënie Trendi i nënpopullatave është i qëndrueshëm në nivel global, por në Kosovë është lloj në rënie dhe i kërcënuar për zhdukje.
Ky lloj është vlerësuar në kategorinë: I Rrezikuar, për shkak të rënies së vazhdueshme të vëzhguar të popullatave të këtij lloji në të kaluarën, ku shkaktarët nuk kanë ndaluar ende, bazuar në vëzhgim direkt, rënie të cilësisë së habitateve të përshtatshme për llojin, si dhe për shkak të nivelit të eksploatimit. Gjithashtu, pritet një reduktim i nënpopullatave në vitet në vijim për shkak të trendeve të vazhdueshme që e kërcënojnë këtë lloj. Zona e pranisë ZP = 56 km² dhe shtrirja e përhapjes SHP = 7157 km².
Lista e kërcënimeve: 8 Lloje invazive dhe lloje të tjera problematike, gjene dhe sëmundje (8.1 Llojet jonative invazive/llojet / sëmundjet e huaja, 8.3 Materiale të futura gjenetike).
Faktorët kryesorë, që e kërcënojnë këtë lloj, janë: degradimi dhe shkatërrimi i habitatit, grabitja, gjuajtja dhe përndjekja nga njeriu për qëllime të ndryshme. Gjithashtu, ky lloj kërcënohet nga ujku, derri i egër, rrëqebulli, dhelpra, e sidomos të vegjlit janë pre e lehtë e tyre.
Me anë të vendimit të MMPH 04/03 të datës 23 maj 2003, neni 3 ky lloj është i mbrojtur me ligj, si lloj i rrallë dhe i rrezikuar.
Veprimet e nevojshme për konservim: 1. Mbrojtja e tokës/ujit (1.1 Mbrojtja e lokalitetit/zonës); 5. Ligji dhe politikat (5.2 Politikat dhe rregulloret, 5.4 Pajtueshmëria dhe zbatimi i ligjit). Hulumtimi i nevojshëm: 1. Hulumtimi (1.2 Madhësia, përhapja dhe trendët e popullatës, 1.3 Historia e jetës dhe ekologjia); 3. Monitorimi (3.1 Trendët e popullatës, 3.4 Trendët e habitatit). Prania e këtij lloji është tregues i cilësisë së njëmendtë të habitatit dhe mbrojtja eventuale e llojit siguron efekt mbrojtës për lloje të tjera dhe lokalitetin/lokalitetet ku gjendet.
Fotografitë janë të shkrepura në Parkun Nacional të Blinajës nga fotografi i botës së egër Arian Mavriqi./Motilokal.com
