Kriza plastike ka nevojë për një marrëveshje detyruese

Kriza plastike ka nevojë për një marrëveshje detyruese

Ndotja nga plastika është një emergjencë globale që ka nevojë për një traktat të fortë të OKB-së, sipas një raporti. Agjencia e Hetimit të Mjedisit tha se ka një kaskadë dëshmish që plastika dëmton. Agjencia argumenton se kërcënimi i ndotjes plastike është pothuajse i barabartë me ndryshimin e klimës.

Ajri që thithim tani përmban grimca plastike, ka plastikë në borën e Artikut, plastikë në tokë dhe plastikë në ushqimin tonë. Në Tajlandë 20 elefantë ngordhën pasi hëngrën mbetje plastike në një vendgrumbullim plehrash sipas raportimeve të fundit. Autorët u bëjnë thirrje vendeve që të bien dakord për një traktat të OKB-së me objektiva detyrues për reduktimin e prodhimit dhe mbetjeve plastike.

Tom Gammage i Agjencisë së Hetimit të Mjedisit tha që “Ka një orë vdekjeprurëse që numëron me shpejtësi mbrapsht”. Ai tha gjithashtu që “Nëse kjo valë baticore e ndotjes vazhdon e pakontrolluar, plastika e parashikuar në dete deri në vitin 2040 mund të tejkalojë peshën kolektive të të gjithë peshqve në oqean”.

Kombet e Bashkuara kanë identifikuar tre kërcënime ekzistenciale mjedisore si ndryshimin e klimës, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen dhe kanë arritur në përfundimin se ato duhet të trajtohen së bashku. Marrëveshjet shumëpalëshe për humbjen e biodiversitetit dhe klimës ekzistojnë për gati 30 vjet. Ideja e një traktati të dedikuar të plastikës është kundërshtuar nga disa kombe vitet e fundit.

Por më shumë se 100 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, thuhet se favorizojnë një traktat që do të propozohet në Asamblenë e ardhshme të Mjedisit të OKB-së në shkurt dhe mars. Burimet thonë se opozita e drejtpërdrejtë po dobësohet, megjithëse ka një mosmarrëveshje se sa i rreptë duhet të jetë traktati dhe nëse ai duhet të jetë ligjërisht i detyrueshëm apo vullnetar. Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se tani mbështesin një marrëveshje globale, të cilës më parë i kishte rezistuar ish-presidenti Donald Trump.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse ai mund të fitojë miratimin nga Kongresi, pasi shumica e plastikës është prodhuar nga nafta dhe gazi dhe ato të dyja prodhohen në SHBA. Japonia thuhet se po përpiqet të pakësojë ambiciet e traktatit. Shtetet Arabe të Gjirit dhe Kina kanë heshtur deri më tani. Kina prodhon pjesën më të madhe të “plastikës së virgjër”, edhe pse SHBA dhe Britania e Madhe thuhet se janë prodhuesit më të mëdhenj të mbetjeve për person./BBC/Motilokal.com