Moti i ligë përfshin Shqipërinë, reshje të dendura shiu në të gjithë territorin

Moti i ligë përfshin Shqipërinë, reshje të dendura shiu në të gjithë territorin

Reshjet intensive të shiut që nisën në orët e para të së hënës sollën probleme me përmbytjet dhe me lundrimin në det.

Në portin e Vlorës, kapiteneria ka ndaluar daljen në det të mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit. Ato do të mund të rinisin aktivitetin vetëm pas të martës, kur parashikohet një përmirësim i situatës së motit. Ndërsa trageti i linjës Vlorë – Brindizi nuk ka pezullime të lundrimit.

Në Gjirokastër janë bllokuar rreth 80 familje të lagjes Lënxat në Lazarat për shkak se përroi i Sopotit ka dalë nga shtrati, duke e bërë të pamundur kalimin në anën tjetër të rrugës.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut disa lagje në Durrës qëndruan për disa orë nën pushtetin e ujit i cili me pas u tërhoq. E njëjta situatë u përsërit edhe rrugët e qytetit të Lezhës, duke vështirësuar  lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve.

Përkeqësimi i motit të shoqëruar edhe me erë të fortë ka krijuar probleme në furnizimin me energji elektrike. OSHEE njofton për mungesë të rrymës në disa zona rurale në Fier, Fushë Krujë, Lezhë dhe Tiranë.

Po ashtu defekte në sistemin elektrik ka në Gjirokastër dhe Shkodër. Aktualisht nuk raportohet për probleme në qarkullimin e automjeteve ne akset kombëtare, ndërsa në zonat malore kane nisur reshjet e dëborës./Motilokal.com