Qeveria e Kosovës shpall gjendjen emergjente për furnizim me energji elektrike

Qeveria e Kosovës shpall gjendjen emergjente për furnizim me energji elektrike

Qeveria e Republikës së Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 51-të të saj, ku ka vendosur për masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. Theksojmë se masat emergjente do të vlejnë për maksimalisht 60 ditë.

Qeveria po ashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Ndryshe, reduktimet me energji elektrike ditëve të fundit janë rikthyer në vendin tonë, ku sipas Qeverisë së Kosovës, “Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për ta mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare. /Motilokal.com