Laguna e Vainit është një ekosistem natyror-lagunor, si dhe një nga lagunat më të rëndësishme të bregdetit shqiptar të Adriatikut.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë ka njoftuar se një nga pelikanët kaçurrel është pajisur me GPS dhe lëvizjet e tij janë të monitoruara.
Tashmë 80 individë pelikanë kaçurrel gjenden ne lagunën e Vainit në Lezhë.
“Në lagunën e Vainit gjenden 80 individë pelikanë kaçurrel. Sot së bashku me kolegët tanë të Administrata Rajonale e Zonave te Mbrojtura Fier shtuam në ujërat e lagunës së Vainit edhe një individ tjetër. Ky pelikan është i pajisur me GPS dhe lëvizjet e tij janë të monitoruara”, thuhet në njoftim.
Pelikani Kaçurrel gjendet në Lagunën Divjakë-Karavasta, liqenin e Shkodrës, dhe tashmë i mbipopulluar në Vain Lezhë. Në Maqedoni gjendet në Liqenin e Prespës. Takohet edhe në liqenin e Shkodrës dhe në rezervatin Srebrna në Bullgari.
Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën Karavastasë në Shqipëri.
Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrele (të përkulura), qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është si i bardhë. Në majat e krahëve ka pak pendë të zeza.
Gjatësia e trupit është rreth 180 centimetra, ndërsa hapja e krahëve rreth 3 metra. Pesha mesatare është prej 11,5 kilogramë dhe e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet./Motilokal.com
