SpaceX i Elon Musk do të lëshojë sot në hapësirë raketën Falcon 9 për të dërguar qeliza njerëzore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, si pjesë e një studimi për të kuptuar efektet e plakjes. Hulumtimi titullohet “Mikroage”. Këto janë qeliza njerëzore, sa një kokërr orizi, të krijuara në një laborator.
Mungesa e gravitetit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës i bën muskujt më të dobët, ngjashëm me atë që ndodh me ne ndërsa plakemi. Qelizat do të vendosen në mbajtëse të vogla të printuara 3D.
Në veçanti, studimi do të përdoret për të "përmirësuar të kuptuarit tonë për mënyrën se si muskujt nuk reagojnë ndaj ushtrimeve te njerëzit e moshuar dhe te astronautët në hapësirë", sipas Universitetit të Liverpool-it.
Për shkak se astronautët vuajnë nga humbja e masës muskulore me një ritëm më të shpejtë në mikrogravitet, vendosja e këtij studimi në hapësirë do të ofrojë një "model unik për të përcaktuar me shpejtësi mekanizmat në bazë të humbjes së muskujve jo vetëm tek astronautët, por me rëndësi për njerëzit e moshuar në tokë", sipas profesoreshës Anne McArdle.
Qelizat do të stimulohen elektrikisht për të prodhuar kontraktime në indin e muskujve. Hulumtimet pritet të ndihmojnë në kuptimin e plakjes së njeriut, por edhe se si ne, në shekullin e 21-të, mund të jetojmë më gjatë dhe më shëndetshëm.
Pas përfundimit të eksperimentit, qelizat e muskujve do të ngrihen dhe do të kthehen në tokë, ku studiuesit mund t'i analizojnë ato më tej./Motilokal.com
