Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti sot paradite në Konferencën vjetore të institucionit të Avokatit të Popullit “Te drejtat e brezave të ardhshëm dhe ndryshimet klimatike”.
Në fjalën e saj, Kryetarja Nikolla nënvizoi midis të tjerash: “Kufizimi i ndryshimeve klimatike është një çështje për të gjithë shoqërinë, por në radhë të parë për brezat e rinj.”
“Konferenca e Glasgow-t mbi Ndryshimet Klimatike, nëpërmjet Paktit që miratoi, e shpalli dekadën e viteve 2020 dekadën e veprimeve dhe mbështetjes për klimën, plotësoi Marrëveshjen e Parisit dhe nënvizoi detyrimin për të tejkaluar logjikën e tregjeve, për të raportuar me transparencë veprimet në mbrojtje të klimës si edhe dëmtimet ndaj saj”, u shpreh Nikolla.
Gjithashtu, vijoi Nikolla, duke theksuar se pandemia e Covid-19 në bëri të reflektojmë të gjithë dhe të rishikojmë mjaft perceptime apo strategji zhvillimi që lidhen me shëndetin e popullsisë, me shëndetin e planetit, me zhvillimin dhe mirëqenien.
“Në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi Marrëveshjen e Parisit të 12 dhjetorit 2015 për ndryshimet klimatike, në kuadër të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për këto ndryshime. Gjithashtu, Kuvendi në vitin 2020 ka ngritur nënkomisionin “Për zhvillim të qëndrueshëm” në përbërje të komisionit për Ekonominë dhe Financat, me fushë përgjegjësie zhvillimin ekonomik dhe social, rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe realizimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjendës 2030 të OKB-së”, tha Nikolla.
“Unë jam e qartë dhe e bindur që këto nuk mjaftojnë. Shqipëria ka nevojë për një ndërgjegjësim të të gjithëve, Qeverisë, institucioneve shtetërore, sipërmarrjes private, shoqërisë civile, qeverisjes vendore, qytetarëve dhe sidomos rinisë, për të krijuar një fron unik për mbrojtjen e mjedisit dhe shmangien e ndikimit të zhvillimit industrial në ndryshimet e klimës”, deklaroi ajo.
Më tej ajo theksoi se duhet të ndalojmë qëndrimet e papërgjegjshme dhe barbare ndaj natyrës sepse brezat e ardhshëm nuk na e kanë borxh; të vlerësojmë edhe shpërpjestimet midis shfrytëzimit e fitimit në mënyrë grabitqare të të ardhurave nga burimet natyrore dhe investimet për to, sidomos për industritë e naftës dhe minierave.
“Dëshiroj gjithashtu të nënvizoj se mbrojtja e mjedisit është një çështje tipike jopolitike, por mbipartiake, pse jo edhe patriotike. Patriot i mirë është ai që kujdesin për natyrën dhe mbrojtjen e mjedisit e bën pjesë të dashurisë për atdheun dhe kombin e vet”, u shpreh Nikolla./Motilokal.com
