Kryeministri Albin Kurti gjatë një konference për media ka njoftuar se Qeveria do ta ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importit të energjisë elektrike, çmimet e së cilës në bursë janë rritur jashtë normales.
Kurti tha se Qeveria do ta bëjë maksimumin për furnizim me energji elektrike dhe që të shmanget rritja eventuale e çmimeve.
“Nga mbledhja me korrespodencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, posa e miratuam vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT-it pra dhe KFW-së për projektin e zhvillimit të sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit”, u shpreh Kurti.
“Duke e ndjekur shembullin e shteteve evropiane, Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve. Do të bëjmë maksimumin që ta bëjmë furnizimin me energji elektrike dhe ta shmangim rritjen eventuale të çmimeve”, deklaroi Kurti.
Ai tha se “kriza energjetike që po i prek të gjitha vendet e rajonit, tanimë ka arritur në vendin tonë.”
Aktualisht, dy blloqet e Termocentralit Kosova B janë jashtë funksionit.
“Kriza është bërë e papërballueshme”, tha Kurti në konferencë./Motilokal.com
