Bashkëthemeluesi i Neuralink, Elon Musk, befasoi me deklaratën e tij se kompania e neuroteknologjisë planifikon të vendosë çipa në trurin e njerëzve që nga viti i ardhshëm.
Insider thotë se këto implante do të regjistrojnë dhe njëkohësisht, do të stimulojnë aktivitetin e trurit. Objektivi kryesor është ai i aplikimit për arsye mjekësore, siç është trajtimi i lëndimeve të rënda të shtyllës kurrizore dhe çrregullimeve neurologjike.
Miliarderi iu referua suksesit të kompanisë së themeluar prej tij në vitin 2016 në vendosjen e neuroçipeve te majmunët.
“Shpresojmë ta kemi këtë sukses edhe tek njerëzit që kanë lëndime të rënda të shtyllës kurrizore si tetraplegjikët dhe ta vëmë në jetë që në 2022-shin. Jemi në pritje të miratimit të FDA-së”, tha Musk.
Sipas tij, standardet e Neuralink për implantimin e këtyre pajisjeve janë edhe më të larta nga sa kërkon FDA, kështu që është i bindur se do të ketë dritë jeshile prej saj.
Në vijim ai risolli në vëmendje një postim të vjetër në Twitter, ku kishte thënë se “Ne do të ecim përpara vetëm atëherë kur këto pajisje të vendosen tek njerëzit vitin e ardhshëm, pasi është e vështirë të kesh biseda të detajuara me majmunët,” – tha ai.
Në prill, Neuralink hodhi në rrjet pamje të një majmuni që luan Video-lojëra duke përdorur një pajisje të Neuralink.
Pasi mblodhi donacione prej 205 milionë dollarësh në korrik, Neuralink tha se do të kanalizonte fondet drejt ndërtimit të një mikroçipi që do t’i lejojë paraplegjikët të kontrollojnë pajisje digjitale me mendjet e tyre.
Paraplegjia dhe tetraplegjia është një paralizë e plotë ose e pjesshme e këmbëve dhe/ose krahëve.
Neauralink nuk është kompania e vetme e cila po prodhon pajisje të lidhura me neuroteknologjinë./Motilokal.com
