Tre çështje mjedisore sensitive kanë marrë vëmendje në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës të mbajtur më 29 nëntor – 03 dhjetor 2021 në Strasburg: Statusi i mbrojtjes së lumit Vjosa, projekti i aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe procesi i rishikimit të kufijve të rrjetit të zonave të mbrojtura, njofton EcoAlbania.
Komiteti vendosi të mbajë të hapur çështjen e lumit Vjosa si dhe të zhvillojë një vlerësim të situatës në terren në 2022 në lidhje me aeroportin e Vlorës.
Ndërsa qeveria shqiptare është pranë finalizimit të shpalljes së zonës së lumit Vjosa si Park Natyror (Kategoria IV), Komisioni i Përhershëm i kërkoi autoriteteve shqiptare të sqarojnë pse propozimi i EcoAlbania dhe IUCN, i bazuar në studime të gjera për ta shpallur “Lumin Vjosa” si Park Kombëtar (Kategoria II), nuk është marrë parasysh. “Me mbështetjen e 20 organizatave të tjera dhe bazuar në propozimet e Unionit Ndërkombëtar të Zonave të Mbrojtura (IUCN), ne kemi dorëzuar propozimin zyrtar pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që në shkurt 2021 dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare në lidhje me këtë propozim. Edhe pse jemi në dijeni të procesit të nisur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për shpalljen e lumit Vjosa Park Natyror, ne vazhdojmë të mbështesim fuqimisht propozimin për t’i dhënë lumit Vjosa dhe degëve të saj statusin më të lartë të mbrojtjes, atë të Parkut Kombëtar”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania./Motilokal.com
