Produkti më i ri i miliarderit dhe CEO-s së ‘Tesla’, Elon Musk, është shitur masivisht ditët e fundit, menjëherë pasi njeriu më i pasur në botë bëri disa deklarata ironike kundër ‘Apple’.
Para disa javësh, gjigantët e teknologjisë, Apple, bënë publik produktin e tyre më të shitur, që ishte një copë e thjesht pëlhure, e përdorur për të pastruar ekranet e pajisjeve tona elektronike, e cila është në shitje për plot 29 dollarë.
Kjo u bë shkak për shumë reagime në rrjet, ndër të cilat kishte edhe nga ata që e quajtën këtë produkt ‘copën më të shtrenjtë në planet’. Ndër ata që ndanin të njëjtin mendim ishte edhe Musk, i cili nuk priti shumë dhe bëri një postim në faqen e tij zyrtare duke ftuar mbi 65 milionë ndjekësit e tij të mos “harxhonin paratë e tyre me këtë produkt ‘qesharak’, por të blinin bilbilin e tij më të ri në vend të saj!”
Ky produkt i ri i Tesla, u quajt Cyberwhistle, kushton 50 dollarë dhe menjëherë pas postimit të Musk në Twitter, arriti shitje marramendëse duke boshatisur magazinat e kompanisë, vetëm disa orë pasi u promovua nga Musk, raporton euronews.
Bilbili i Tesla-s, ka formën e makinës së stilit SUV që është ende në prodhim dhe do të quhet Cybertruck. Ky bilbil i veçantë përbëhet nga material inoksi, i lustruar dhe mat.
Prezantimi i Cybertruck u bë gjatë një eventi ekskluziv në vitin 2019. Gjatë prezantimit, dizajneri i Tesla-s, Franz von Holzhausen, gjuajti një top metalik tek njëra nga dritaret e makinës – të cilat ishin reklamuar si të ‘pathyeshme’ – duke shkaktuar disa krisje. Më vonë, Musk deklaroi se Cybertruck është ende në “fazën e zhvillimit”./Motilokal.com
