Që nga dita e sotme, me ligj ndalohet përdorimi i qeseve të plastikës. Do të shiten vetëm qese plastike të biodegradueshme me çmim prej 15 denarëve.
Sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë, mjetet financiare që do të mblidhen, do të shkojnë në fondin me të cilin do të investohet në mjedisin jetësorë.
Prej sot gjithashtu objektet e hotelerisë e kanë të ndaluar të përdorin plastikë në zonat e mbrojtura si në Pelister, Mavrovë, Mali Sharr, etj.
Çka parasheh Ligji:
Ndalohet lëshimi në treg i qeseve plastike për bartjen e mallrave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ndalohet lëshimi i paketimeve plastike për një përdorim në objektet hotelierike në territorin e zonave të mbrojtura në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Me përjashtim të paragrafit (1) të këtij neni, me pagesën e kompensimit nga shfrytëzuesit përfundimtar, në tregun e Republikës së Maqedonisë së Veriut lejohet lëshimi i qeseve të biodegradueshme për bartjen e mallrave që janë prodhuar në përputhje me standardet e përcaktuara për biodegradueshmëri, përveç qeseve plastike shumë të lehta për bartjen e mallrave ( trashësia e të cilave është më pak se 15 mikron).
Kompensimi që duhet të paguajnë shfrytëzuesit përfundimtarë nga paragrafi (3) i këtij neni për qeset e biodegradueshme për bartjen e mallrave është 15 denarë për copë dhe i paguhet tregtarit në pikën e shitjes ( në kompensim përfshihet edhe TVSH-ja).
Qëllimi i këtij Ligji është të pengojë përdoruesit e qeseve për njëpërdorim dhe të stimulojë përdorimin e qeseve të ripërdorueshme, bazuar në parimin “ndotësi paguan”.
Prodhuesit e qeseve plastike mund të vazhdojnë të punojnë edhe më tej, por duke respektuar standardin e përcaktuar për biodegradueshmëri. Përmendim se standardet për biodegradueshmëri janë vendosur në Ligjin e mëparshëm, ndërsa janë përcaktuar në vitin 2013.
Rregullorja e re për standardet e biodegradueshmërisë është miratuar dhe pritet të publikohet në numrin e ardhshëm të Gazetës Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Deri në ditën e hyrjes në fuqi vlen Rregullorja ekzistuese./Motilokal.com
