Moti i ligë me erëra të forta dhe dallgë kanë bërë që mbetje të shumta të pushtojnë vijën bregdetare të Vlorës, përgjatë Lungomares.
Siç duken edhe nga pamjet që sjell abcnews.al vija bregdetare është mbushur me mbetje, ku dominon më së shumti plastika.
Lungomare është vija me e bukur bregdetare e qytetit të Vlorës, që gjatë sezonit të verës mbipopullohet nga turistët dhe pushuesit.
Situata e sotme ka ardhur pas shirave intensive të mbrëmjes së kaluar. Ndërkohë si pasojë e motit të keq, lundrimi detar në Vlorë vijon të jetë i pezulluar.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili së bashku me ekipin e tij kanë dalë në aksion për pastrimin e bregut të detit.
“Kushtet e motit nuk i kontrolloj dot”, ka shkruar ai, ndërsa theksoi se edhe pse një ditë pushimi ata kanë dalë të pastrojnë “ç’kishte nxjerrë deti gjatë natës”.
Duke iu drejtuar personave që abuzojnë dhe hedhin në det mbeturinat e tyre, ai shprehet se duhet të ndërgjegjësohet duke thënë se gjithçka kthehet sërish në tryezë përmes peshkut që hamë.
“Mos abuzoni me tokën, mos abuzoni me detin!”, shkruan ai në rrjetin e tij social Facebook, ku edhe ka postuar fotografitë e aksionit të pastrimit./Motilokal.com












