Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë. Ajo theksoi se është një gjendje e jashtëzakonshme, duke bërë të ditur se konsumi i tepërt i energjisë mund të rrezikojë sigurimin e energjisë. Ajo këtë deklaratë e bëri në diskutimin me temën “Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë”.
“Ngritja e vetëdijes në lidhje me shpenzimin e energjisë është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndodhë në mënyrë që të rritet kursimi i energjisë, kjo në mënyrë që të mos reflektoj në tarifa për vitin e ardhshëm, të ndryshohet sjellja e qytetarëve, në mënyrë që të lirohet më pak ndotje dhe të ketë më pak ajër të ndotur”, u shpreh ministrja Rizvanolli.
Për më tepër, ministrja potencoi që “rishikimi i Strategjisë së Energjisë që do të ndodhë së shpejti do të ketë fokusin kryesor në dekarbonizimin e përgjithshëm të sektorit të energjisë. Shembulli i ngrohtores së Gjakovës si pilotprojekt është me rendësi, sepse zëvendësimi i lëndës djegëse, mazutit, me biomasë zvogëlon emetimet e dioksidit të karbonit nga 49 mijë ton në 615 ton, do të thotë është një dallim shumë i madh”.
Ministrja theksoi se “së shpejti do të bëhen studime fizibiliteti për ngrohtore të ngjashme edhe në qendrat kryesore të Kosovës dhe do të shihet nëse shembulli i Gjakovës do të mund të replikohet që do të ishte një gjë shumë e mirë për dekarbonizimin e ngrohjes në vend”./Motilokal.com
