Gjiganti gjerman i automjeteve Volkswagen së fundmi ka zgjeruar familjen e tij të veturave elektrike ID.5, një version elegant SUV coupe. Është pjesë e tranzisionit të kalimit nga veturat me djegie në ato elektrike, ku VW synon të sjellë deri në 70 modele të reja elektrike deri në vitin 2028, për t'u bërë plotësisht neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050. Por kjo nuk është mënyra e vetme që Volkswagen po trajton ndryshimet klimatike.
Fabrika e Volkswagen në Chattanooga, është shtëpia e një prej parqeve diellore më të mëdha në një fabrikë veturash në SHBA që prodhon energji elektrike të rinovueshme. Menaxhuar nga Silicon Ranch Regenerative Energy, një sistem diellor 9,5 megavat siguron deri në 12,5 për qind të energjisë elektrike gjatë prodhimit të plotë, me 33,600 module diellore të shpërndara në një sipërfaqe prej 33 hektarësh pranë fabrikës së VW.
Fabrika e VW në Chattanooga punëson mbi 4000 punëtorë - por jo të gjithë janë njerëz. Për të zgjidhur një problem të përbashkët në parkun diellor, VW ka punësuar një tufë prej rreth 50 delesh, duke krijuar role të reja pune.
Megjithatë, pyesni veten se ku janë delet në gjithë këtë histori?
Gjegjësisht, fermat diellore kanë nevojë për tokë të fortë, prandaj erozioni është problem. Për të parandaluar këtë proces, bari ndihmon shumë, por duhet mirëmbajtur që të mos rritet mbi panelet diellore – kjo është puna e deleve.
Kullotja adaptive me dele është një mënyrë efikase dhe me kosto efektive për të kontrolluar vegjetacionin dhe për të zvogëluar rrezikun e erozionit në impiantet diellore në shkallë të gjerë. Delet mbajnë barin të ulët përmes kullotjes dhe nëpërkëmbjes, dhe panelet diellore ofrojnë hije për delet, duke reduktuar stresin e nxehtësisë në mes të verës”, tha Loran Shallenberger, menaxheri i projektit të energjisë rigjeneruese të VW.
Volkswagen thekson se është e rëndësishme të punësohen vetëm dele për këtë rol, sepse dhitë, të cilat mund të ushqehen me bar, priren të kërcejnë mbi panelet diellore dhe të përtypin tela./Motilokal.com
