Udhëtimet për pushime në 2020 me rritje krahasuar me 2019, në verë shkëlqeu Durrësi në dimër Korça

Udhëtimet për pushime në 2020 me rritje krahasuar me 2019, në verë shkëlqeu Durrësi në dimër Korça

Pandemia ka reduktuar ndjeshëm udhëtimet e shqiptarëve për vitin 2020. Sipas Anketës së Turizmit “Pushime dhe Udhëtime”, të publikuar nga Instituti i Statistikave, vitin e kaluar u regjistruan rreth 40 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2019.

Sipas INSTAT, përgjithësisht është shënuar rënie për të gjitha llojet e udhëtimeve, ndërkohë që rënia më e ulët është shënuar për udhëtimet për qëllime personale në Shqipëri. Megjithatë, udhëtimet e kryera brenda vendit për qëllime “Pushime dhe kohë të lirë” u rritën me 16,9 krahasuar me vitin 2019. Anketa nxjerr në pah gjithashtu, se sipas kohëzgjatjes së netëve të qëndrimit, dominojnë udhëtimet e shkurtra me 1-3 netë, që zënë 64.6% të totalit, ndërkohë që pjesa tjetër zihet nga udhëtimet e gjata më shumë se 4 netë.

“Në vitin 2020, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.212.076. Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4,6 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 98,7 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 1,3 % të tyre. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Gusht (17,0 %), Janar (12,8 %), Qershor (12,1 %), Dhjetor (11,4 %) dhe Korrik (9,9 %). Siç vërehet edhe nga grafiku shuma e netëve të qëndrimit (në milion) ka regjistruar vlerat më të larta në muajt Gusht, Korrik dhe Janar”, thuhet në publikimin e INSTAT.

I njëjti vlerëson në vitin 2020, janë regjistruar rreth 40 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2019. Përgjithësisht është shënuar rënie për të gjitha llojet e udhëtimeve, ku rënia më e ulët është shënuar për udhëtimet për qëllime personale në Shqipëri.

Qarqet më të preferuar për udhëtime ishin: Tiranë (26,3 %), Vlorë (16,1 %), Durrës (14,0 %) dhe Korçë (8,9 %).

Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (2,1 %), Kosovë (2,0 %) dhe Itali (1,7 %).

INSTAT bën të ditur se, “nëse do të analizojmë udhëtimet e kryera në Shqipëri përgjatë tremujorëve të shpërndara sipas qëllimit “Pushime dhe kohë e lirë”, vihet re se në tremujorin e parë destinacion kryesor i udhëtimeve ka qenë qarku i Tiranës me 28,9 %, ndërsa udhëtimet që kanë si destinacion kryesor qarkun e Durrësit kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e dytë 39,0 %, dhe për tremujorin e tretë është regjistruar si destinacion i preferuar qarku i Vlorës me 51,9 %”.

Udhëtimet me destinacion kryesor qarkun e Korçës kanë shënuar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e të katërt përkatësisht 28,1 %.

Sipas INSTAT, destinacionet më të preferuara të udhëtimeve të kryera jashtë Shqipërisë për “Pushime dhe kohë të lirë” për tremujorin e parë janë: Italia dhe Mali i Zi, për tremujorin e dytë: Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në tremujorin e tretë: Turqia dhe për tremujorin e katërt: Mal i Zi dhe Kosova.

Për të gjitha llojet e udhëtimeve të kryera brenda dhe jashtë Shqipërisë, në vitin 2020 pesha më e lartë sipas llojit të akomodimit është regjistruar për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel”.

“Rreth 3,1 milion udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 96,4 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2020. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin rrugor nëpërmjet makinave private me 15 pikë për qind”, nënvizon INSTAT./Motilokal.com