Turizmi i peizazhit është më i preferuari i stinës së vjeshtës. Pamjet mahnitëse të krijuara nga zverdhja e gjetheve në pyjet e lartësive të Thethit, të lënë pa frymë.
Kjo bën që në këto pyje gjatë ditëve të kësaj stine, që për nga temperaturat ngjan me pranverën, të ketë çdo ditë vizitorë dhe turistë të shumtë.
Në disa fotografi të publikuara nga ambientalisti Abdulla Diku shfaqet natyra dhe bukuria e kësaj zone.
Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.
Turistë të shumtë ngjiten në këto lartësi pikërisht për këto vlera emocionale.
Rrugëtimi më komod është aksi Shkodër – Malësi e Madhe-Bogë-Qafë-Thore-Theth, ku ja vlen të kalohet për pamjet e mahnitshme që të ndesh syri. Nga Shkodra do të kaloni në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, do të vizitoni fshatin piktoresk të Bogës.
Thethi është magji turistike, sepse është tabloja më e bukur natyrore, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin duke krijuar thyerjet më fantastike të peizazhit e pastaj zbresin si në një kupë në rrafshnajën e Thethit duke krijuar një shtrojë të gjelbër ku janë ngulur kullat shekullore, ashtu të ngurta prej guri që hahen me malet.
Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.
Bukuritë e papërsëritshme të Thethit malor, në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Ai rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, ku aplikohen sportet malore dhe shëtitjet në natyrë./Motilokal.com

