8 Nëntor – Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve

8 Nëntor – Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve

Sot është Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve. Kjo ditë është e rëndësishme për çdo qytetar të botës që dëshiron qytet më funksional, lagje më urbane, mjedis të mbrojtur dhe të menaxhuar me më shumë kujdes, përgjegjësi më të lartë qytetare.

Përmbushja dhe respektimi i këtyre dëshirave do të na ndihmojë që të shmangemi nga praktikat e deritashme me ndikim në zhvillimin e qyteteve tona, shpesh të pamenduar mirë dhe me pasoja të papërmirësueshme.

Për herë të parë, Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve është shënuar në vitin 1949, si nevojë e angazhimit gjithëpërfshirës në vendosjen e politikave, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës në përgjithësi.

Kjo ngjarje u iniciua nga Carlos Mariadella Paolera, profesor në Universitetin e Buenos Aires, me qëllim të avancimit të interesit publik dhe profesional në fushën e planifikimit. Kjo ditë na përkujton se planerët duhet të jenë profesionistë të trajnuar, të cilët me angazhimin e tyre në institucione qeveritare, në firma konsulente, në kompani private dhe institucione arsimore, duhet të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të vendbanimeve tona. Duhet të ndihmojnë në hartimin e planeve për zona të reja të zhvillimit, dhe të ndikojnë në korrigjimin e zonave të vjetra. Me angazhimin e tyre të pazëvendësueshëm,planerët duhet të ndihmojnë edhe në hartimin e politikave qeveritare nga të cilat duhet të përfitojnë të gjithë.

Aktualisht, kjo ditë e rëndësishme e sektorit të planifikimit hapësinor festohet në shumë qytete në të gjitha anët e botës. Sa i përket organizimit, iniciuesit dhe organizatorët kryesisht janë institucione profesionale, që për qëllim kryesor kanë promovimin e planifikimit gjithëpërfshirës – duke i bërë bashkë planerët profesional dhe publikun e gjerë./Motilokal.com