Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar gjatë natës në Durrës ku u shpëtua i riu Klajdi Qato, ndërsa në Thumanë kërkimet kanë rinisur këtë mëngjes, pas ndërprerjeve disa orëshe për shkak të vështirësive të natës.
Sipas informacioneve të mediave shqiptare deri me tani numrin i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 27 dhe 650 janë lënduar dhe 45 janë shpëtuar.
Dyshohet se nën këto rrënoja mund të ketë edhe 4 deri në 7 persona të tjerë.
Mbi 200 specialistë të kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile nga Kosova, Greqia, Turqia, Franca, Italia, Kroacia, Rumania, Zvicra, SHBA, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë mbërritur orë pas ore në Shqipëri për të asistuar ekipet shqiptare.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe IGJEUM që prej mëngjesit të djeshëm, ora 03.54 kur goditja kryesore pati magnitudë 6.3 ballë, e deri në momentin që po flasim janë shënuar 310 pasgoditje. /Motilokal.com
