Ngjarjet ekstreme të motit, duke përfshirë valët e fuqishme të të nxehtit dhe përmbytjet shkatërruese do të jenë realiteti ynë i ri, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM).
Raporti i Gjendjes së Klimës për vitin 2021 thekson se bota “është duke ndryshuar para syve tanë”.
Sipas këtij raporti mesatarja e temperaturës 20-vjeçare nga viti 2002 për herë të parë pritet të kapërcejë 1 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale për herë të parë. Niveli i deteve në mbarë globin po kështu është rritur duke shënuar rekord të ri për 2021-shin.
Këto të dhëna u publikuan më herët nga OBM, me qëllimin që të përkonin me nisjen e punimeve të konferencës së OKB-së për klimën në Glasgow të njohur si COP26. Raporti i Gjendjes së Klimës ofron një panoramë të plotë të treguesve të klimës duke përfshirë temperaturat, ngjarjet ekstreme të motit, ngritjen e nivelit të detit si dhe kushtet e oqeaneve.
Studimi tregon se shtatë vitet e fundit, ka të ngjarë të jenë më të ngrohtat e regjistruara ndonjëherë për shkak se gazet karbonike arritën përqendrime rekord në atmosferë. Rritja e temperaturave, nga ana tjetër, po e shtyn planetin drejt një “territori të paeksploruar”. Sipas profesorit, Petteri Taalas, ka prova shkencore tashmë se disa prej këtyre eventeve ekstreme, kanë gjurmën e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.”/Motilokal.com
