Lumi i Vjosës është një nga pasuritë më të mëdha natyrore që ka Shqipëria por ndonëse është në rrezik nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Ky lumë është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, që rrjedh i pandikuar në mënyrë të natyrshme, i karakterizuar nga kanione të bukura,rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.
Çfarë e bën këtë lumë vërtet kaq të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e saj rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset në Evropë.
Megjithatë, shumë pak dihet për biodiversitetin e këtij lumi që ka ngritur gati gjithë botën në këmbë për ta mbrojtur nga ndërtimi i hidrocentraleve. Madje deri në Hollivud ka shkuar çështja e lumit Vjosa. Leonardo DiCaprio është njëri nga aktorët që ka dalë në mbrojtje të Vjosës.
Alternativa e vetme është që Vjosa të shpallet Park Kombëtar, në mënyrë që aty të mos bëhen ndryshime nga dora e njeriut.
Për të kuptuar më shumë për situatën e lumit Vjosa, motilokal.com realizoi një intervistë me Olsi Nikën, drejtor dhe aktivist mjedisor i EcoAlbania.
Intervistoi: Shkelzen Rrecaj
Vjosa, lumi i fundit i egër i madh në Evropë. Çka fsheh ky lumë dhe përse është kaq i rëndësishëm?
Vjosa është një lumë prej rreth 272 kilometra gjatësi. Është një lumë që Shqipëria e ndan me fqinjin e saj jugor Greqinë, që do të thotë Vjosa buron nga territori grek në malësinë e Pindit në një lartësi prej 1400 metra mbi nivelin e detit. Nga burimi deri në grykëderdhje, me përjashtim burimin, rrjedh në shtratin e saj natyror prej 265 kilometra ndoshta edhe më shumë. Në dy kilometrat e para është ndërtuar një hidrocentral në vitin 1985, por kjo nuk afekton lumin, pra shtratin morfologjik të lumit. Megjithatë, ne jemi të kujdesshëm të themi që Vjosa është lumi i fundit pothuajse natyror ose i egër, që rrjedh nga Greqia në Shqipëri pa ndërhyrje të qenësishme me natyrën të ndërtuar nga njeriu. Ky është një nga lumenjtë e fundit në fakt, të kësaj madhësie që ka mbetur në Evropë i padëmtuar, e sidomos në Ballkan nuk ka lumenj të tjerë që janë nga pikëpamja hidromorfologjike të pandërprerë e të pandikuar. Por Vjosa është lumi më i madh prej tyre. Përveç rrjedhjes kryesore, Vjosa përbën një sistem të tërë lumor, bëhet fjalë për gati 1000 kilometra gjatësi lumore, duke përfshirë edhe detin, që në fakt ndërton një sistem unik natyror sot në Evropë. Pikërisht kjo është rëndësia më e madhe e lumit, është të qenit unik, në natyralitetin e tij. Pastaj sjell një sërë benifitesh të tjera, sepse shtrati i saj natyror është i aftë të ofrojë të gjitha shërbimet e një ekosistemi lumor, qoftë për transportin e ujit, lëndëve minerale, migrimin e specieve dhe pjellorinë e tokave, që mbështet bujqësinë si dhe shërbime të tjera të ekosistemit siç është furnizimi me ujë të pijshëm. Këto janë një sërë sistemesh të ekosistemit të cilat lumenjtë sot në Evropë nuk i ofrojnë më, i kanë humbur këto shërbime, duke i transformuar praktikisht në kanale, por që ofrojnë shërbime të tjera.
Deri më tani shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, aktorë Hollivudi, etj., kanë reaguar në mbrojtje të Vjosës. Në ç’fazë kanë arritur përpjekjet për ta mbrojtur këtë lumë?
Po, është e vërtetë që ka një fushatë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e Vjosës. Është një fushatë që ka nisur pothuajse një dekadë më parë, në kuadër jo vetëm të mbrojtjes së Vjosës, por të mbrojtjes së disa lumenjve në Ballkan, të cilët përfaqësojnë lumenjtë e fundit natyror të Evropës. Pasi Evropa praktikisht i ka transformuar, shndërruar për qëllime që i përmenda më parë, në lumenj jo natyror. Fushata për mbrojtjen e Vjosës ka marrë më shumë vëmendje sesa lumenjtë e tjerë në Ballkan për dy arsye. E para është ajo që e përmenda sepse lumi Vjosa është unik, i veçantë krahasuar edhe me lumenjtë e tjerë të Ballkanit dhe absolutisht shumë i veçantë në Evropë. E dyta është se duke qenë kaq unik ka marrë vëmendje edhe nga sferat tjera përtej aktivizimit apo shoqatave që merren me mbrojtjen e mjedisit. Pra, Vjosa është përfshirë në axhenda politike të brendshme të Shqipërisë dhe të jashtme deri në Bruksel. Gjithashtu, janë përfshirë një pjesë e gjerë e shkencëtarëve, të cilët e konsiderojnë Vjosën si një nga laboratorët shkencor në natyrë, ashtu siç janë përfshirë grupe të tjera të shoqërisë, si njerëz që kanë reputacion, intelektualë, artistë, siç janë aktorët e Hollivudit. E thënë në këtë formë Vjosa ka marrë vëmendjen mediatike brenda Shqipërisë, rajon dhe ato botërore. Dhe kjo në vetvete është një arritje, por në rastin e Vjosës ne jemi munduar të ndjekim edhe rrugët ligjore. Siç janë përdorimi i mekanizmave ligjorë të brendshëm, të gjykatave dhe të konventave ndërkombëtare. Duke i provuar të gjitha këto rrugë dhe duke i mbledhur të gjitha këto pjesë të puzzle-it, krijojmë ‘puzzle’ interesant, suksesi do të thosha unë, sepse kemi bërë të mundur të ndryshojmë njëmendësinë e vendimmarrjes sidomos të qeverisë shqiptare, e cila nuk është më e orientuar drejt ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë, por mendon që ta shpallë luginën e Vjosës si zonë të mbrojtur dhe kjo nuk është pak. Ashtu siç nuk është pak që rruga deri këtu ka qenë e vështirë, me shumë sfida, por ne ia kemi dalë që t’i anulojmë të paktën dy, tre hidrocentrale të vegjël në Vjosë edhe me rrugë ligjore, besoj që kjo është një arritje. Megjithatë jemi këtu ku jemi, që e ardhmja e Vjosës ende nuk është e përcaktuar në mënyrë të prerë dhe të qartë. Por premisat janë shumë të mira që Vjosa mund të mbrohet kështu siç është edhe për brezat që do të vijnë.
Ju sapo theksuat se Vjosa konsiderohet një laborator natyror nga pikëpamja shkencore dhe ka ngjallur interesin e shumë studiuesve. Por a është bërë ndonjë studim nga shteti shqiptar apo nga ndërkombëtarët lidhur me florën dhe faunën e këtij lumi?
Ashtu siç e potencova më lart Vjosa konsiderohet si laborator në natyrë, jo vetëm sa i përket vlerave të biodiversitetit, botës së gjallë që jeton në lumë por sidomos edhe vlerave në aspektin hidrologjik dhe hidromorfologjik. Pra, ky lumë është një sistem lumor funksional që ka një përzierje. Kur flasim për Vjosën nënkuptojmë edhe degët e saj, që janë lumenj, që bashkohen në lumenj me fizionomi të ndryshme, kanë kimi të ndryshme dhe në momentin që bashkohen krijojnë një ekosistem të veçantë. Vjosa ndryshon fizionominë, ndryshon në aspektin kimik siç ndryshon edhe në pjesën e biotes përgjatë rrjedhjes, pikërisht nga komunikimi i vazhdueshëm që ka me degët e saj. Dhe kjo është arsyeja përse studiuesit e konsiderojnë si laborator. Një aspekt tjetër është transporti i materialeve inerte ose ajo që njihet si shkenca e sedimentologjisë, që merret kryesisht me transportin e sedimenteve. Një sedimentolog do të duhej të shkonte në Vjosë për të vënë në praktikë njohuritë që mund t’i ketë marrë në aspektin e teorisë në universitet. Ndryshe këtë do të duhej ta bëj në një maket në miniaturë në laborator, sepse nuk ka sot në Evropë një tjetër laborator në natyrë. Aty mund të shikosh se si janë fenomenet e përmbytjeve, transporti i materialeve inerte të mëdha ose të imëta. Ndërsa në aspektin e biotes të ekosistemit, ekologjisë është një ekosistem shumë i rrallë. Vjosa përfaqëson një mori larmish shumë të larta të habitateve dhe të specieve. Nuk ka pasur ndonjë nismë nga shteti shqiptar për të studiuar për këto lloje shkencash në Vjosë dhe për këtë arsye para 5-6 vitesh në suaza fushatash për mbrojtjen e Vjosës do të nisin kërkimet e para shkencore. Mund të themi me plot gojën që bota kishte njohuri më shumë për sisteme lumore si Amazona se sa për Vjosën që ishte në Evropë. Në këto pesë vitet e fundit grupe shkencëtarësh nga e gjithë bota kanë evidentuar apo listuar 1100 lloje të specieve në segmentet e caktuara në lumë. Por nuk është studim i mirëfilltë edhe sot, nga të cilat 40 për qind janë raportuar për herë të parë për Shqipërinë, që do të thotë ishte e pastudiuar dhe nga të cilat dy lloje janë të reja për shkencën, të zbuluara për herë të parë në Vjosë dhe asnjë vend tjetër në glob. Kjo tregon që Vjosa në të vërtetë është një thesar i trashëgimisë natyrore. Shteti shqiptar nuk është se ka ndërmarrë studime alternative për evidentimin e këtyre vlerave përpara se të ndërmerrte vendime për ndërtimin e digave. Ndërtimi i tyre në fakt do të zhbënin në mënyrë tërësore dhe të pakthyeshme të gjitha këto vlera. Megjithatë shteti shqiptar nuk është se ka bërë studime nga pikëpamja e ndërtimit të digave, është bërë një vlerësim në vitin 2009 për llogaritë e KESH nga një kompani franceze që ka vlerësuar potencialin e hidrocentraleve, por jo aspektet teknike. Shteti shqiptar nuk është ulur kurrë që të bëjë ndonjë analizë rreth këtij lumi. Një analizë për Vjosën tani e ka gati dhe atë falas nga shkencëtarë të fushave specifike dhe ajo që i duhet qeverisë tonë është ta dëgjojë shkencën.
Organizatat mjedisore, personalitete të shquara të shkencës dhe artit kanë bërë thirrje që Vjosa të shpallet Park Kombëtar. Pse gjithë ky hezitim?
Historia e Parkut Kombëtar ka nisur që nga viti 2014, kur EcoAlbania dhe disa nga organizatat e tjera ndërkombëtare si RiverWatch, por edhe ato vendore, ku i kemi propozuar qeverisë shqiptare Park Kombëtar si një alternativë kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Me vetëbesimin se Vjosa e ka të gjithë potencialin për t’u shpallur Park Kombëtar. Por në atë kohë ne nuk kishim studime, argumente shkencore që të mbështesnin këtë propozim. Tani kemi më shumë studime shkencore që kanë hedhur dritë që Vjosa duhet të jetë Park Kombëtar. Në shkurt të këtij viti EcoAlbania ka dërguar në Ministrinë e Mjedisit një propozim të plotë të shpalljes së Vjosës Park Kombëtar më të gjitha argumentet ligjore, shkencore, me harta ashtu siç duhet të bëhet një propozim. Ne deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ashtu siç ka ardhur në tryezë një propozim nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Kjo organizatë merret me zonat e mbrojtura të natyrës, të cilat përcaktojnë dy-tre skenarë sesi Vjosa mund të mbrohet dhe absolutisht në rrjedhën e mesme që është ironikisht aty ku planifikohen të ndërtohen diga. Vjosa duhet patjetër të shpallet Park Kombëtar. Shkencëtarë dhe ekologë e përcaktojnë Vjosën vetëm si Park Kombëtar në tërësinë e vet. Tani ne jemi në diskutimin mes nesh dhe qeverisë, e cila ka draftuar një vendim që shpall lumin e Vjosës por jo edhe degët e saj si Park Natyror që është kategoria 4 sipas IUCN-së. Ne këtë e kundërshtojmë me forcë, pavarësisht se është për t’u përgëzuar qasja ndryshe, sepse Parku Natyror nuk garanton ruajtjen e atyre që përmenda për Park Kombëtar, nuk garanton ruajtjen e specieve, habitateve, proceseve ekologjike në terma afatgjatë përkundrazi lë dritare të hapura, për modele zhvillimi mund të jenë edhe hidrocentrale në të ardhmen. Ne kemi një Park Natyror që është ndërtuar një digë për hidrocentrale, është Parku i Ulëzes. Në këtë formë jemi duke u ndeshur me argumente me qeverinë për ta bindur që Parku Kombëtar që përfshin jo vetëm gjatësinë e lumit, por edhe degë e saj, është e vetmja mënyrë që garanton ruajtjen e Vjosë për vlerat që ka.
A janë banorët që jetojnë pranë brigjeve të lumit pro shpalljes së parkut kombëtar?
Në përgjithësi banorët janë të informuar në lidhje me parkun kombëtar, jo në mënyrë kapilare pasi procesi i informimit dhe konsultimit vjen pasi të merret një vendim të shpalljes së zonës Park Kombëtar. Ndërsa kur të vjen puna deri të plani, e gjithë kjo do të bëhet në një proces shumë më të gjerë dhe të gjatë konsultimi më të gjitha grupet e interesit jo vetëm me banorët. Nga një sondazh profesional që ne kemi bërë në rang kombëtar, ku rreth 98 për qind janë pro shpalljes së Vjosës Park Kombëtar. Madje, madje aq shumë është promovuar ideja e parkut saqë 70% e tyre të pyetur nëse Vjosa aktualisht është Park Kombëtar janë përgjigjur po. Megjithatë park kombëtar do të thotë konservim në rrafshin e parë dhe gjithashtu kufizime për një sërë aktivitetesh, siç është përshtatja, adaptimi i aktiviteteve tradicionale që zhvillohen në atë zonë. Banorët dhe bashkitë e luginës kanë qenë në favor të një zhvillimi të qëndrueshëm në Vjosë, ku Parku Kombëtar do të ishte investimi bazë dhe mbi këtë do të ndërtoheshin aktivitete të zhvillimit social dhe ekonomik.
Si është sot gjendja e lumit Vjosa?
Nga pikëpamja hidromorfologjike është perfekt, është një lumë që rrjedh natyrshëm, transporton ujë, sendimente, shpendë, peshq etj, ashtu siç ka edhe probleme. Një prej problematikave është ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël në disa degë të lumit dhe praktikisht ato degë e humbasin funksionin. Ndërkohë që ka probleme të tjera me menaxhimin e mbetjeve të ngurta, të ujërave të përdorur, ujërave të zeza, ndotje nga bujqësia si dhe ndotje nga erozioni që është një problem i madh. Mirëpo të gjitha këto probleme janë menaxheriale.
Pse nuk duhet ndërtuar hidrocentrale në Vjosë dhe cilat janë pasojat negative të HEC-ve në këtë lumë?
Lumenjtë janë lidhës, që do të thotë lidhin popullatat e peshqve, insekteve, shpendëve siç lidhin edhe popullatat e njerëzve, traditat... Edhe pse kemi një kufi, nuk ndryshon shumë ndërtimi i urave mbi Vjosë me matanë kufirit, edhe mënyra e të kënduarit është e afërt. Është një luginë që lidh gjithë këto komunitete. Dhe absolutisht është rrjedha e ujit që transporton kulturën, traditën, historinë, speciet, ujin si dhe materialet inerte. Vendosja e digës e ndërpret këtë lidhje. Ndërprerja e lidhjes është sikur të ndërpresësh damarin, po ndërpreve rrjedhën e gjakut, diçka e keqe ndodh sigurt, kjo është ideja e ndërtimit të digave. Një digë e vendosur në lumë e vret atë në mënyrë përfundimtare.
Se Vjosa është një thesar, tanimë nuk ka dyshime. Por sa janë të vërteta zërat se nën shtratin e saj rrjedh edhe një lumë me naftë?
Sa i përket çështjes së naftës, unë nuk jam ekspert, por e di që poshtë lumit që ne shohim është një lumë tjetër disa herë më i madh me ujë, këtë ta them, është e sigurt që një tjetër rrjedhë nën të, ndërsa nafta është më poshtë. Nga aksionet e fundit të kompanive naftëkërkuese siç është Shell, ka marrë angazhim që të kërkojë në bllokun katër që është lugina e sipërme e Vjosës. Ata kanë bërë studime sizmike për të parë rezervat e naftës dhe nuk e di përfundimin për këtë. Ajo që mund të ju them është se ka pasur një reagim aty për aty nga banorët, organizatat nga komuniteti ndërkombëtar gjithashtu që është e papranueshme të kërkohet dhe shfrytëzohet nafta në Vjosë. Edhe nëse do të ketë rezerva të jeni të bindur që asnjëri prej banorëve nuk është i gatshëm që të japë atë që është mbi tokë për hir të asaj që është nën tokë. Ka patur edhe protesta derisa Shell-i në njëfarë mënyre është larguar.
Dhe për fund, pse duhet të shpallet Park Kombëtar dhe çfarë përfiton Shqipëria nga kjo?
Dua të ritheksoj që Vjosa përbën një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore evropiane. Duke qenë e tillë Vjosa është konsideruar si lumi i fundit i egër në Evropë, që do të thotë se nëse ne e marrim vendimin e zgjuar sot, do të jemi të vetmit që do kemi Parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë. Kjo do të thotë një magnet i turizmit natyror. Vetëm për këtë fakt Vjosa e meriton të jetë Park Kombëtar. Nga ana tjetër kjo do të krijonte një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për gjithë rajonin e Vjosës që do të ndikonte edhe në ekonominë e Shqipërisë. Alternativat që shtrohen sot dhe më parë janë që Vjosa ose Park Kombëtar ose do të ndërtohen hidrocentrale. Të jeni shumë të bindur sikur të ndërtohen 40 hidrocentrale në basenin e Vjosës, ky lumë nuk ka për t’u bërë më i njohur në botë për kapacitetin gjenerues hidrik. Vjosa është aktualisht e njohur për vlerat natyrore që ka./Motilokal.com
