Qendra për Studimin dhe Ruajtjen e Shpendëve të Shqipërisë, kë njoftuar se në fillim të muajit shtator në lagunën e Durrësit është vrojtuar një individ i unazuar i gjelacit pikalosh (Pluvialis squatarola). Ky shpend është kapur gjatë këtij sezoni shtegtimi dhe është unazuar në afërsi të grykëderdhjes së lumit Vistula në bregun jugor të Detit Baltik në Poloni.
“Për fat të keq nuk mundëm të marrim të dhëna të sakta për datën e unazimit nga kolegët polakë, për shkak se baza e të dhënave të këtij viti do të publikohet prej tyre në fund në muajin dhjetor”, thuhet në njoftim.
Gjelaci pikalosh ka një shtrirje shumë të gjerë dhe mund të haset në brigjet e pothuajse të gjithë kontinenteve. Folezon në pjesën arktike të Tokës dhe si dimërues haset duke filluar nga zona e butë në veri deri në pjesën nëntropikale të hemisferës së jugut. Në vendin tonë haset gjatë periudhës së shtegtimit (në pranverë dhe vjeshtë) si dhe gjatë dimrit./Motilokal.com
