Një vullkan në ishujt Kanarie në Spanjë, ka shkatërruar shtëpi ndërsa nxjerr llavë dhe hi, duke detyruar 5 mijë njerëz nga shtëpitë e tyre. Vullkani Cumbre Vieja, ka ngritur në qiell një kolonë të dendur tymi pasi shpërtheu të dielën, duke derdhur llavën përvëluese poshtë faqes së malit në ishullin La Palmas. Po ashtu, lava ka ndërprerë edhe një nga autostradat kryesore në ishull.
Ekspertët kanë paralajmëruar se shpërthimi i vullkanit mund të zgjasë deri në dy muaj. Para riaktivizimit të vullkanit, i cili kishte shpërthyer edhe dy herë të tjera në vitin 1949 dhe 1971, autoritetet regjistruan më shumë se 1 mijë lëkundje sizmike brenda 5 ditëve.
Në një studim të vitit 2001 pretendohet se një shpërthim i madh i vullkanit është i mundur dhe rrezikon shkaktimin e një cunami gjigant, i cili mund të arrijë deri në Amerikën e Veriut.
Zona është një nga destinacionet më të frekuentuara turistike dhe ka një popullsi prej 85 mijë banorësh./Motilokal.com








