Përmbytjet e shkaktuara nga mbetjet e uraganit Ida lanë të vdekur së paku 45 persona në verilindje të Shteteve të Bashkuara.
Stuhia shkaktoi shira të rrëmbyeshëm mbrëmjen e 1 shtatorit dhe mëngjesin e 2 shtatorit, nga Merillendi deri në Nju Jork. Shumica e viktimave pësuan pasi përmbytjet morën makinat e tyre.
Disa u mbytën edhe në bodrumet e apartamenteve. Së paku 23 persona vdiqën në Nju Xhersi dhe 12 në Nju Jork. Dy shtetet shpallën gjendje emergjence.
Stuhia tropikale Ida goditi shtetin e Luizianës të dielën, si uragan i kategorisë 4, duke shkaktuar përmbytje masive dhe shkatërrime të gjera. Së paku 10 persona humbën jetën në Luiziana, Misisipi dhe Alabama. Gati një milion familje janë ende pa energji elektrike në Luiziana.
Presidenti amerikan Joe Biden thotë se nevojiten investime historike për t’u përballur me krizën klimatike, pasi verilindja e Amerikës është goditur nga përmbytje si pasojë e uraganit Ida. Numri i viktimave ka shkuar në 45.
“SHBA po përballet me shkatërrim të lidhur me klimën në të gjithë vendin dhe trajtimi i tij është çështje jete dhe vdekjeje”, tha presidenti.
Presidenti Joe Biden ka shpallur emergjencë si në Nju Xhersi ashtu edhe në Nju Jork, duke u mundësuar të dy shteteve të marrin fonde federale për të mbështetur përpjekjet lokale të ndihmës nga fatkeqësitë.
Ndikimi i ndryshimit të klimës në shpeshtësinë e stuhive është ende i paqartë, por rritja e temperaturave të sipërfaqes së detit ngroh ajrin sipër dhe vë më shumë energji në dispozicion për të nxitur uragane, ciklone dhe tajfune. Si rezultat, ato ka të ngjarë të jenë më intensive me reshje më ekstreme./Motilokal.com
