Uragani Ida shkakton dëme të mëdha në Luiziana dhe Misisipi

Uragani Ida shkakton dëme të mëdha në Luiziana dhe Misisipi

Uragani Ida ka shkaktuar vdekjen e të paktën një personi, ndërprerje të energjisë elektrike dhe përmbytje të mëdha në Luiziana dhe Misisipi. Stuhia me erëra që arrinin shpejtësinë prej 230 kilometrash në orë vjen 16 vjet pas uraganit vdekjeprurës Katrina.

Erërat e forta që solli uragani Ida në Nju Orlins dhe Baton Ruzh dëmtuan shtëpi si dhe lanë pa energji elektrike mbi 1 milion njerëz.

Me erërat që arritën shpejtësinë prej 230 kilometrash në orë, Ida konsiderohet uragani i pestë më i fortë që ka goditur territorin e Shteteve të Bashkuara deri më tani.

Image

Në një konferencë virtuale me personelin federal të urgjencës të shtunën, Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi banorët e Luizianës dhe Misisipit që të jenë vigjilentë gjatë gjithë stuhisë, transmeton VOA.

"Unë u bëj thirrje banorëve të zonës që të jenë të vëmendshëm dhe të përgatitur. Mbani në dispozicion furnizimet për familjen tuaj. Ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale. Dhe nëse duhet të transferoheni në strehë, sigurohuni që të vishni një maskë dhe të përpiqeni të mbani distancë, sepse ne ende po përballemi me variantin shumë më ngjitës delta të koronavirusit", tha presidenti Biden.

Image

Sipas të dhënave të USA.org, aktualisht më pak se 41 për qind e popullsisë së shtetit të Luizianës është vaksinuar kundër koronavirusit.

Duke folur të dielën në emisionin "Face the Nation" të kanalit CBS, Guvernatori i Luizianës John Bel Edwards tha se shumë njerëz ju bindën paralajmërimeve të ekspertëve.

"Duket se qindra mijëra njerëz shfrytëzuan rastin për t'u larguar, veçanërisht ata nga zonat e ulëta në juglindje të Luizianës përgjatë bregdetit, të cilët nuk janë të mbrojtur nga sistemi ynë i zvogëlimit ë rrezikut nga stuhitë. Ne u kërkuam njerëzve të tjerë që vendosën të qëndronin në shtëpitë e tyre që të bëjnë përgatitje e duhura për të kaluar stuhinë", tha ai.

Image

Guvernatori tha se zonat më të populluara duhet të jenë të mbrojtura nga përmbytjet pas një investimi prej 14 miliardë dollarësh pas uraganit Katrina.

Zyrtarët thanë se intensifikimi i shpejtë Ida-s nga një stuhi në një uragan të fuqishëm brenda tre ditëve nuk ofroi kohë të mjaftueshme për evakuimin e 390 mijë banorëve të Nju Orlinsit.

Image

Uragani Ida ka lënë mbi një milionë njerëz pa energji elektrike, thuhet në një njoftim të organizatës PowerOutage.

Zyrtarët thanë sot se stuhia Ida, megjithëse më e dobësuar, po sjellë reshje të mëdha shiu në shtetin e Misisipit, duke shkaktuar përmbytje të rënda.

Ndërkohë, në Luiziana kanë nisur tashmë operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe vlerësimi i dëmeve./Motilokal.com