Rikthehen flamingot në habitatin e tyre të preferuar në lagunën e Vainit të Lezhës.
Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila nëpërmjet një videoje jep pamjet e qindra flamingove të cilët janë rikthyer për herë të dytë në lagunën e Vainit.
“Le të shijojmë përmes këtyre pamjeve të ditës së sotme në lagunën e Vainit, aty ku qindra flamingo janë rikthyer në “habitatin” e tyre natyral”, thuhet në njoftim.
Laguna e Kune-Vainit është rreth 8 kilometër larg qytetit të Lezhës, është kthyer në një atraksion të përhershëm për turizmin e natyrës, vëzhgimit të shpendëve ujorë, të historisë, por edhe të kulinarisë së veçantë të zonës.
Shumëllojshmëria e habitateve dhe karakteristikat e tyre natyrore ose gati natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për specie përfaqësuese të biodiversitetit.
Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante.
Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.
Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepuri, dhelpra, ujku, derri i egër, etj./Motilokal.com
