Kosova e bukur, por jo edhe e promovuar!

Kosova e bukur, por jo edhe e promovuar!

Ndonëse një vend i vogël, Kosova ka bukuri mahnitëse që të duhet kohë e gjatë për t’i shijuar e për t’i kujtuar. Kosova ka vende me peizazhe të mrekullueshme, objekte natyrore, kulturore dhe historike, që mund të shfrytëzohen nga vizitorë si vendas ashtu dhe të huaj, duke filluar nga Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit, Mirusha, Drini i Bardhë, Shpella e Gadimës, Prizreni, Peja, Gjakova, Vushtrria dhe rajone të tjera. Thënë shkurt Kosova është një vend i jashtëzakonshëm dhe ka shumë vende për t’u vizituar. Po ashtu, ushqimet tradicionale e bëjnë Kosovën një vend unik e që patjetër duhet shijuar.

Por problem mbetet promovimi, mungesa e investimeve dhe strategjive për zhvillimin e turizmit nga ana e shtetit.

Për të folur më shumë rreth turizmit në Kosovë motilokal.com zhvilloi një intervistë me prof. dr. Hysen Sogojeva, i cili është edhe Kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

Intervistoi: Shkelzen Rrecaj

Z. Sogojeva, sa e njohin si vendasit ashtu dhe të huajt Kosovën?

Nëse nisemi nga ajo se çfarë pasurish natyrore ka Kosova, është shumë e vërtetë që pak e njohin dhe kjo është si rezultat i mospromovimit të vlerave turistike, kulturore dhe historike që i kemi. Nuk ka promovim nga qeveria, e as nga institucionet e tjera relavenate. S’do mend se do të mund të bënin shumë më tepër në promovimin e pasurive natyrore. Pa promovim këto vlera turistike, dikur edhe zhduken, me një fjalë vdesin. Fatkeqësisht, që nga pas lufta e deri më sot, Qeveria e Kosovës nuk e ka pasur prioritet zhvillimin e turizmit dhe nuk i ka kushtuar rëndësi as promovimit, e kjo është arsyeja që nuk e njohin aq sa duhet vendin tonë.   

Shpesh na e zë veshi produktin kombëtar të turizmit. A mund të na tregoni se për çfarë bëhet fjalë dhe a e ka Kosova këtë produkt?

Kosova si destinacion turistik është shumë tërheqës. Kjo për faktin se ngërthehen shumë produkte. Do të thotë të gjitha llojet e turizmit zhvillohen, përveç atij detar,mund të zhvillohen në Kosovë. Sidomos turizmi malor dhe ai rural që është trend i zhvillimit botëror, e që ne i kemi kushtet ideale për të. Produktin e përbëjnë vlerat, udhëtimi, akomodimi, kudo që preken, në çfarëdo rajoni të Kosovës mund të gjenden produkte të përshtatshme të turizmit.     

Z. Sogojeva, ju jeni njëri prej hartuesve të strategjisë së turizmit të Kosovës, a mund të na tregoni se ç’parasheh ky dokument për zhvillimin e turizmit?

Është e vërtetë që unë kam marrë pjesë në hartimin e strategjisë së turizmit, por fatkeqësisht asnjëherë kjo strategji nuk ka kaluar nga qeveritë e Kosovës. Ne sot ende nuk kemi strategji të turizmit. Edhe në strategjinë e fundit që është në proces jam anëtar i grupit punues. Do të ishte mirë që kjo çka është punuar deri më sot të kalojë në Qeveri dhe Parlament, sepse kjo strategji është orientuar kryesisht në zhvillimin e turizmit. Fatkeqësisht, në këtë moment vendi ynë nuk ka një strategji të zhvillimit të turizmit. 

Promovimi është njëra anë e medaljes dhe ana tjetër është realiteti me të cilin një turist përballet kur vjen në Kosovë. Sa është bërë në promovimin e bukurive natyrore?

Si bëhet promovimi? Kush duhet ta bëjë promovimin? Cilat institucione duhet ta promovojnë dhe zhvillojnë turizmin tonë? Këto janë disa pyetje që na vijnë përballë. Kosova nuk ka agjenci kombëtare të turizmit. Agjencia kombëtare është institucioni që e zhvillon turizmin. Të gjitha shtetet e rajonit, ato evropiane e botërore kanë agjencitë e tyre kombëtare. Disa kanë organizata nacionale. Organizatat themelohen me kuvend, ndërsa agjencitë nga qeveria. Këto të fundit mund të jenë në kuadër të një ligji ose edhe mund të themelohen me një ligj të veçantë. Kështu që, pa agjenci kombëtare nuk ka promovim të turizmit dhe për këtë kemi mbetur prapa. 

Z. Sogojeva, sa ka kapacitet Kosova për të pritur turistë?

Nëse flasim në aspektin e kapaciteteve akomoduese jemi prapa, sepse Kosova ka diku plus minus 500 njësi akomoduese, duke llogaritur hotelet, motelet, hostelet, fshatrat turistike dhe kampingjet. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës na dalin rreth 11 mijë shtretër, kjo është pak, për arsye se nëse do të organizohej ndonjë ngjarje kulturore apo sportive me karakter ndërkombëtar del që nuk mund ta përballojë atë për shkak të mungesës së shtretërve.    

Edhe përkundër që jemi në kohë pandemie në vendin tonë shihen vizitorë të huaj. A keni të dhëna sa është rritur numri i vizitorëve dhe nga cilat vende vijnë ata?

Agjencia e Statistikave të Kosovës të dhënat i merr nga hotelet. Siç e përmenda më parë ekzistojnë 450 deri 500 njësi akomoduese, mirëpo të dhënat janë të obligueshme t’i dorëzojnë në zyrën e posaçme të policisë. Këtë e bëjnë diku 250 hotele dhe me këtë shifër qarkullojnë dhe në bazë të saj na dalin më pak. Por nëse e llogarisim diasporën, atëherë kemi shumëfishim të numrit që na e ofrojnë statistikat. Megjithatë, kemi gjithnjë rritje dhe pavarësisht periudhës së pandemisë që nuk na ka përjashtuar vetëm ne, të dhënat flasin gjithmonë për rritje dhe kjo për shkak të disa faktorëve, e që më i rëndësishmi është se Kosova dhe në përgjithësi Ballkani është vend akoma i paeksploruar dhe turistët shkojnë në ato vende që nuk i kanë vizituar. Kështu që, dita-ditës numri i turistëve vazhdon të rritet.

Turizmi është pak a shumë degë e re e ekonomisë në vendin tonë. Sa jemi të përgatitur për të nxjerrë kuadra profesionale për ta çuar para këtë sektor?

Po ta krahasojmë para 10 viteve, kemi qenë shumë keq me kuadra, nuk kemi pasur mjaftueshëm shkolla të mesme e mos të flasim për fakultete apo kolegje. Tanimë ekzistojnë diku rreth 8 shkolla, të cilat pak a shumë kanë profile të hotelerisë, gastronomisë dhe turizmit. Mirëpo, kemi edhe kolegje private si dhe fakultete publike siç është Fakulteti i Shkencave të aplikuara në Ferizaj që ka bachelor dhe master dhe “Haxhi Zeka” në Pejë që ka si drejtim Turizmin dhe Ambientin. Tashmë nuk mund të themi që nuk kemi kuadra, por ende janë pak për këtë sektor, sepse sa më shumë që të profesionalizohemi aq më shumë zhvillohet turizmi.  

A ka patur interesim për të investuar në sektorin e turizmit nga investitor të huaj nëse jo cilat janë shkaqet?

Promovimi nuk ka qenë në nivel dhe për këtë arsye të huajt hezitojnë të investojnë, sepse nuk kanë njohuri për mundësitë tona turistike. Në momentin kur promovimi të jetë në një shkallë të lartë mund të ketë edhe të interesuar për investime. Kushtet për investime kanë qenë të vështira derisa është bërë ligji i ri për investime. Shumë komuna kanë humbur projekte për shkak që e kanë pasur të caktuar me ligj për të dhënë tokën deri në 10 vjet, derisa është bërë ligji për 99 vjet për shfrytëzimin e truallit. Edhe siguria ndikon në investime. Por tani shihet që ka shtim të interesimit për të investuar. Ne fatkeqësisht kemi humbur Brezovicën, e cila është një aset i fortë i zhvillimit të turizmit. Tashmë duhet të bëjmë projekte të tjera që do t’i jepnin një shtysë zhvillimit të turizmit. 

Çfarë mendoni për çmimet që ofrojnë hotelet apo restorantet tona dheku qëndrojmë me vendet e rajonit?

Sa i përket çmimeve të ushqimit jemi më të lirët krahasuar me vendet e rajonit, Evropës, ndërsa nga akomodimi jemi më të shtrenjtit në rajon. Shembull, Prishtina është më e shtrenjtë së Shkupi, Tirana dhe Podgorica, për arsye se konkurrenca është ende e vogël. Sa më shumë njësi akomoduese, aq më të ulëta çmimet.

Z. Sogojeva, a duhet shteti të krijojë infrastrukturë në atraksionet turistike që të thithë sa më shumë vizitorë apo ajo duhet të vjen nga iniciativat private?

Çdo gjë që është bërë deri më sot si restorantet, hotelet, qendrat turistike këto janë falë sektorit privat. Dora e shtetit vërehet fare pak, për të mos thënë aspak. Shteti mund të ndikojë në infrastrukturë ligjore, rrugore, rrymë, ujë dhe kanalizime, do të thotë ta bëjë më të lehtë procesin e investimeve. Por edhe kjo lë shumë për të dëshiruar. Edhe njëherë po e theksoj se krejt ky zhvillim që përfshin restorantet ekskluzive, hotelet më të mira, etj. është falë sektorit privat.

Sa ka ndikuar mosprivatizimi i qendrës turistike dimërore Brezovica në zhvillimin e turizmit?

Projekti i Brezovicës ka qenë 410 milionë euro. Kam pasur fatin të jem në rrjedha të projektit, i cili ka kushtuar diku rreth 200 mijë euro. Kur është shpallur tenderi, kanë konkurruar disa subjekte, por ka mbetur vetëm njëri, i cili ka ofruar 410 milionë euro ku e kemi humbur për 20 milionë euro. Në projektin e Brezovicës është paraparë rritja e shtegut të skijimit nga 4 kilometra që është sot deri në 100 kilometra, teknika e fundit e ashensorëve, 6000 persona janë menduar të punësohen, vërtet ka qenë një projekt i madh. Unë personalisht për dështimin e këtij projekti e fajësoj drejtpërdrejt Qeverinë, në veçanti ish-ministren Mimoza Kusarin.

Përveçse jeni profesor i turizmit në Universitetin e Ferizajt, ju jeni edhe kryetar i Odës Hoteliere dhe Turistike të Kosovës, a mund të na njoftoni për veprimtarinë dhe rolin e këtij organizimi në zhvillimin e turizmit në vendin tonë?

Ne si odë jemi themeluar në korrik të vitit të kaluar dhe së shpejti do ta shënojmë edhe një-vjetorin e themelimit. Kemi shtrirje në shtatë regjione. Personalisht e kam pritur shumë më vështirë themelimin. Por falë angazhimit të shokëve, dashamirëve të turizmit dhe bashkëpunëtorëve kemi arritur këtu ku jemi. Sot e kemi kuvendin me 120 anëtarë, pastaj këshillin drejtues me 71 anëtarë, kryesinë e gjerë me 35 anëtarë si dhe bordin. Përgjithësisht, jemi shumë mirë të strukturuar. Dua të theksoj që ne merremi më të gjitha produktet apo veprimtaritë turistike. Tani në këtë kohë kemi filluar me projekte të cilat do ta avancojnë turizmin në vendin tonë. Qëllimi ynë është mbrojtja e interesave të hotelerisë. Kohëve të fundit jemi ballafaquar me pandeminë dhe kemi qenë protagonistë në vendimmarrje që të mos merren vendime të dëmshme për këtë sektor. Po ashtu, kemi kontakte dhe raporte të mira me të gjitha ministritë e me qeverinë. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata që na përkrahin.

Përveç makiatos, çfarë tjetër mund të shijojë një i huaj me ëndje në Kosovë?

Siç e përmenda më parë, fatkeqësisht mungon promovimi, përndryshe në çdo pjesë të Kosovës ke çfarë të shohësh. Nëse e krahasojmë me sipërfaqe ne jemi shumë lart, sepse Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit janë potenciale turistike shumë të mëdha. Po e marrim si shembull projektin Borea, i cili është një prej projekteve më të mira, po ashtu e kemi Ujëvarën e Mirushës, Drinin e Bardhë, Shpellën e Gadimës, Kompleksin Adem Jashari. Paramendoni vetëm Kompleksi Adem Jashari i ka diku rreth 1 milion vizitor brenda vitit dhe sot hezitojnë për të investuar në rregullim. Sikur ta kishim bërë hyrjen me një pagesë simbolike prej 50 centësh, vetëm komuna do të kishte fituar gjysmë milioni euro, e pastaj me këto të hyra do të investohej në zhvillim të turizmit të asaj zone, sepse turisti nuk dëshiron vetëm të shohë, por edhe të kënaqet./Motilokal.com