Studim: Ndryshimi i klimës i bën më të mundshme përmbytjet në Evropë

Studim: Ndryshimi i klimës i bën më të mundshme përmbytjet në Evropë

Shkencëtarët thonë se ngrohja globale e bën më të mundshme llojin e reshjeve ekstreme që shkaktuan përmbytje vdekjeprurëse në Evropën Perëndimore muajin e kaluar, megjithëse mbetet e paqartë saktësisht se sa.

Të paktën 220 persona vdiqën në Gjermani dhe Belgjikë më 14-15 korrik kur përrenjtë e fryrë u shndërruan në lumenj të tërbuar, duke vërshuar shtëpitë, rrugët, urat dhe duke shkaktuar miliarda euro dëme.

Një studim i publikuar së fundmi nga grupi World Weather Attribution përdori regjistrime historike dhe simulime kompjuterike për të shqyrtuar sesi temperaturat ndikuan në reshjet nga fundi i shekullit të 19-të e deri më sot. Ndërsa studimi nuk është vlerësuar ende nga shkencëtarë të pavarur, autorët e tij përdorin metoda të pranuara gjerësisht për të kryer vlerësime të shpejta të ngjarjeve të veçanta të motit si përmbytjet, thatësira dhe valët e nxehtësisë.

U zbulua se në një brez të madh të Evropës Perëndimore që shtrihet nga Holanda në Zvicër, sasia e reshjeve në një ditë të vetme u rrit me 3 në 19% gjatë periudhës, gjatë së cilës temperaturat globale u rritën me 1.2 gradë Celsius.

Ekspertët thonë se për çdo 1 gradë Celsius planeti ngrohet, ajri mund të thithë 7% më shumë ujë. Kur lëshohet ai ujë, shkakton reshje më ekstreme.

Studimi, i kryer nga pothuajse 40 studiues nga gjashtë vende evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, llogariti se reshjet e shiut që shkaktuan përmbytjet e muajit të kaluar tani janë 1.2 deri në 9 herë më të mundshme dhe kjo do të rritet më tej nëse planeti vazhdon të nxehet.

Frank Kreienkamp i shërbimit kombëtar të motit të Gjermanisë DWD, i cili bashkë-shkroi studimin, tha se gjetjet mbështetën në parashikimet e raportit të fundit të OKB-së për klimën.

Autorët thanë se dëmi dhe humbja e jetës në këtë katastrofë nxjerrin në pah sesi kombet duhet të bëjnë më shumë për të frenuar emetimet e gazrave serrë dhe të përgatiten për fatkeqësi të tilla.

"Këto përmbytje na kanë treguar se edhe vendet e zhvilluara nuk janë të sigurta nga ndikimet e rënda të motit ekstrem që kemi parë", tha Friederike Otto, drejtoreshë e asociuar e Institutit të Ndryshimit të Mjedisit në Universitetin e Oksfordit. “Kjo është një sfidë urgjente globale dhe ne duhet ta ndërmarrim atë. Shkenca është e qartë dhe ka qenë prej vitesh.”/Motilokal.com