Mbi 2.8 milion shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë shtatë-mujorit të vitit 2021, duke shënuar rritje me 2.4 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Instituti i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT) ka publikuar sot shifrat e hyrjeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar.
Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës për kalimin e pushimeve.
Gjatë muajit korrik 2021, në Shqipëri ka shkuar 521 mijë e 265 turistë nga Kosova, ndërsa gjatë korrikut të 2020-së, i cili konsiderohet si viti i pandemisë COVID-19, ishin 205 mijë e 436 qytetarë që u konsideruan si shpëtimtarët e turizmit. Ndërkaq, për muajin korrik 2019, kosovarët përsëri ishin të parët që bënë më shumë vizita në Shqipëri, pra në një total prej 448 mijë e 896 turistë.

Sipas INSTAT në shtatë-mujorin e 2021, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4.9 herë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 4.3 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 41.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Ndërkohë, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatë-mujorit të 2021, është 2.179.019. Ky tregues është rritur me 34,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Motilokal.com
