Zjarret armiku kryesor i pyjeve

Zjarret armiku kryesor i pyjeve

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka treguar se arsyet e rënies së zjarreve në pyje janë nga më të ndryshmet. Në Shqipëri rastet e rënies së zjarreve në mënyrë natyrale (rrufe, kontakt elektrik,etj.), janë shumë të rralla. Ndërsa rënia e zjarreve në pyje/kullota ku shkaktar është njeriu, ndodh kryesisht nga: pakujdesia, padituria, piromania apo dhe me vetëdije të plotë.

1. Zjarret e shkaktuara nga pakujdesia apo padituria përfshijnë kryesisht zjarret e shkaktuara nga njerëzit që punojnë në pyje apo kullota të cilët kryejnë punime operacionale në këto sipërfaqe.

2. Zjarret e qëllimshme vendosen me arsyen që të zgjerojnë tokën e punueshme apo kullotat, për shkak të konflikteve të pronësisë mbi pyjet dhe kullotat, konfliktet midis barinjve për të drejtat e përdorimit apo pronësisë mbi kullotat, përfshirë këtu edhe mentalitetin e barinjve për ripërtëritjen e bimësisë barishtore nëpërmjet djegies së asaj ekzistuese, për përfitim të druve të zjarrit apo materialit për ndërtim, për të mbuluar prerjet ilegale, etj.

3. Ndër shkaqet e tjera të zjarreve në pyje mund të përmendim edhe faktorin klimatik pasi nën kushtet e ndryshimit të klimës, thatësira mund të shkaktojë regjime të ashpra të zjarreve në aspektin e numrit dhe shtrirjes së tyre.

Faktorët që ndikojnë në përhapjen e zjarreve.

Temperaturat e larta, lagështia relative dhe shpejtësia e erës, janë gjithashtu parametra të rëndësishëm që ndikojnë në përhapjen e zjarreve. Sipërfaqja pyjore e prekur nga zjarret ndikohet edhe nga faktorë të tillë si: lloji i bimësisë, topografia, stina, të cilët sipas rastit mund t’a rrisin apo reduktojnë ndikimin e zjarreve në ekosistemet pyjore.

Dëmet që shkaktojnë zjarret.

Përveç humbjes së materialit drusor, erozioni është fenomeni i parë që shfaqet në tokat e zhveshura dhe që ndihmohet nga era. Shtresa e kores së tokës pëson gjithashtu djegie dhe kjo përkthehet në humbje të lëndëve organike për bimët e mbetura ose ato të reja, prishje të ekuilibrave hidrikë (modifikim të përbërjes dhe lagështisë së bimësisë në tokë), prishjen e habitateve të kafshëve të egra, degradim të peizazhit natyror, dhe pa dyshim  sëmundje, insektet, era dhe ngricat./Motilokal.com