Shirat e fortë që goditen provincat veriperëndimore të Turqisë përgjatë brigjeve të Detit të Zi të mërkurën, shkaktuan përmbytje të mëdha që shkatërruan dhjetëra banesa, duke i bërë rrugët dhe urat të pakalueshme.
Referuar asaj që u deklarua sot nga Drejtoria për Menaxhimin e Emergjencave dhe Fatkeqësive Natyrore të Turqisë (AFAD); 60 persona kanë humbur jetën në provincën e Kastamonu, nëntë në atë të Sinopës dhe një në atë të Bartin, ndërsa 47 persona janë raportuar të humbur në krahinat Kastamonu dhe Sinope.
Përmbytje të tjera priten në orët e ardhshme dhe përsëri në rajonin e Detit të Zi.
AFAD tha se aktivitetet e kërkim-shpëtimit për të mbijetuarit ishin ende duke u zhvilluar, ku rreth 8 mijë persona dhe 20 qen të stërvitur vazhdojnë të jenë në terren.
Mësohet se deri më tani rreth 2 mijë persona janë evakuuar nga zonat e prekura me helikopter dhe varka.
Sipas autoriteteve turke ditët e fundit, dëmi i shkaktuar nga përmbytjet ishte i pashembullt, duke lënë më shumë se 330 fshatra pa energji elektrike. Pas pesë ditësh, 40 fshatra ende nuk kanë energji elektrike.
“Përmbytjet që kemi përjetuar janë më të rëndat që kemi parë ndonjëherë”, tha ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu.
Përmbytjet goditën një vend që ishte prekur nga zjarret më të këqija në dekada, ku vetëm javët e fundit, u detyruan mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre në jug të vendit.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se ngrohja globale, e cila i atribuohet pa dyshim emetimeve të gazrave serrë nga aktivitetet njerëzore, do të shoqërohet gjithnjë e më shumë me një shtim të ngjarjeve ekstreme natyrore./Motilokal.com
