Dëshironi pushime ndryshe, për një vit? Mirë se vini në planetin Mars

Dëshironi pushime ndryshe, për një vit? Mirë se vini në planetin Mars

Në qoftë se jeni të stresuar nga puna dhe masat kundër pandemisë, jeni një moshë 30-35-vjeçare, me një diplomë si inxhinier ose matematicien, atëherë mund të merrni pushimet e ëndrrave. Jo në Detin e Kuq të turizmit masiv egjiptian, por në Planetin e Kuq, totalisht të izoluar për një vit.

NASA po kërkon aplikantë për të kaluar një vit të tërë duke pretenduar se jetojnë në planetin Mars.

‘Sipërfaqja’ marsiane prej rreth 157 metra katrorë është e vendosur brenda Qendrës Hapësinore Johnson në Houston, Teksas, SHBA. Këto lloj simulimesh quhen misione analoge.


Për misionin e sapo shpallur, aplikimet u hapën të premten për katër persona që të jetojnë në Mars Dune Alpha, një mjedis i printuar 3D.


Agjencia amerikane po planifikon tre eksperimente të tilla, me të parin që pritet të fillojë vjeshtën e ardhshme.


Vullnetarët do të përballojnë prova si fluturime virtuale, shëtitje në hapësirë, simulime të emergjencave të ndryshme si mungesa e komunikimit me bazën tokësore (të tipit, “Hjuston, kemi një problem!”, aq i përdorur nga filmat e Hollivudit), mbijetesa me ushqim të kufizuar, madje edhe një takim i papritur me krijesa jashtëtokësore. Parimi kryesor i misionit të NASA-s është i thjeshtë, në “hapësirë mund t’i besosh vetëm vetvetes”.

NASA ka një plan afatgjatë të rëndësishëm për misionet në Mars, që do të paraprihen nga rikthimi në Hënë brenda vitit 2024 me misionin Artemis. Hëna shihet si hap i ndërmjetëm, ndërkohë që misioni historik në Mars mund të realizohet brenda vitit 2030, edhe me ndihmën e miliarderëve si Jeff Bezos dhe veçanërisht Elon Musk, që duket sikur e kanë shndërruar kolonizimin e Marsit në objektivin e jetës./Motilokal.com