Kalaja e Artanës, një fortifikatë mesjetare

Kalaja e Artanës, një fortifikatë mesjetare

Kalaja e Artanës ose Kalaja e Novo Bërdës gjendet në mes të rrafshit të Kosovës dhe Anamoravës, në brendësinë e të cilës gjendet mesjeta, e skalitur në gurët e kishave, xhamive dhe në muret e kalave.

Nga gjetjet arkeologjike dhe dokumentet, ky vendbanim daton të jetë ndërtuar në shekullin XIV. Gojëdhënat për këto treva e tregojnë lashtësinë e qytetërimit dhe jetës në këto anë.

Një tabelë me shigjetë djathtas të tregon rrugën për t’u ngjitur në Kalanë e Artanës, e cila i ka bërë ballë dhe ka përcjellë tre pushtues të këtyre trevave.

Rruga gjarpërore rreth kodrës së Kalasë është e asfaltuar dhe këtë investim e ka bërë Bashkimi Europian.

Sapo të ngjitesh në territorin e Kalasë dhe të futesh në brendësinë e saj, e kupton arsyen pse është ndërtuar pikërisht në këtë kodër.

Perandoria Bizantine kishte vendosur të ngrinte një kala nga ku mund të shiheshin si në pëllëmbë të dorës 130 hektarët, që tani janë shpallur zonë e mbrojtur.

Nga po kjo kala mund të sodisësh hyrjet nga katër komuna: Prishtina, Lipjani, Kamenica e Gjilani. Pozita strategjike e ka bërë këtë kala të rëndësishme si pikë, në kohën e perandorive, e pushtimeve për territore.

Gjurmët e Perandorisë Romake e Bizantine, i gjen pak metra nga kalaja, ku gjenden muret e një ndërtese katedrale, të cilës vetëm muret i kanë shpëtuar.

Gjurmë perandorisë mund të gjesh edhe në kala. Kryqi i gdhendur në muret e kalasë, është kryqi me brinjë të mbrehtë, të cilin e mbanin në flamuj gjatë luftimeve, Perandoria Bizantine.

Përballë hyrjes së katedrales, ndodhet objekti i xhamisë me një minare jo të lartë, të cilën Perandoria Osmane gjatë kohës së pushtimit të tyre, e ka ndërtuar për të lënë gjurmët e saja nëpër tokën e vlefshme të Artanës.

Kjo xhami, që dikur ka pasur në hollin e saj, shumë banorë të këtyre anëve, tani ka ngelur e zbrazët. Aty, tashmë vetëm historia ka ngelur.

Në anën tjetër të rrugës ndodhet një shtëpi, dikur e banueshme, por as aty, nuk kishte qenë askush. E “gjallë” ishte vetëm lashtësia në këtë pjesë të Kosovës.

Hapësira ku shtrihet tani Komuna e Artanës, ka qenë e banuar që nga mesjeta. Por, numrin më të madh të banorëve e ka pasur në shekullin XV, besohet të kenë qenë rreth 45 mijë banorë.

Sot ky vend është një atraksion turistik, që pos kalasë ofron edhe bukuri të tjera e një mënyrë e thjeshtë për të përjetuar të gjitha këto bukuri është ecja nëpër shtigjet që janë në dispozicion, ku mund të shihen kodrinat e bukura malore, burimet pyjore me llojllojshmëri të shtigjeve për t’iu përshtatur çdo stili, nga oikniuku deri në ecje në shtigje të mëdha, pastaj ngasje të biçikletës, kurse të gjithë ata që e vizitojnë këtë anë mund të shijojnë ushqimin tradicional, të shëndetshëm organik në një zonë rurale me ambient relaksues./Motilokal.com