Mijëra qytetarë janë larguar nga shtëpitë e tyre në periferi të Athinës ndërsa qindra të tjerë janë evakuuar me anije nga ishulli pranë tij, Evia, teksa Greqia po përballet me ditën e katërt të zjarreve të nxitura nga erërat e forta dhe temperaturat e larta.
Ashtu si pjesa më e madhe e Europës edhe Greqia është përballur me motin ekstrem këtë verë, e cila konsiderohet më e nxehta në 30 vitet e fundit duke bërë që flakët të përhapen njëkohësisht në disa pjesë të ndryshme të vendit.
Megjithatë, nuk ka pasur humbje jete, dhe vetëm dhjetëra të shtruar në spital, kryesisht zjarrfikës që kanë pësuar djegie të vogla, por edhe banorë që vuajnë nga thithja e tymit. Më shumë se 600 njerëz u evakuuan edhe nga veriu i ishulli Evia, pasi një zjarr i tërbuar bllokoi rrugën jashtë fshatit Agia Anna, duke bllokuar banorët dhe pushuesit. Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis iu drejtua qytetarëve duke thënë se vendi po përballet me një situatë tejet kritike.
“Pas 10 ditësh nxehtësie, po përpiqemi të menaxhojmë dhjetëra zjarre në pyje, në të njëjtën kohë. Tre prej tyre, në Atikë, Evia dhe Ilia, janë me madhësi dhe intensitet të madh”, tha Mitsotakis.
“Përparësia jonë është gjithmonë të mbrojmë jetën e njerëzve. Mbrojtja e pronës, mjedisit natyror dhe infrastrukturës kritike vjen më pas. Fatkeqësisht, në këto rrethana, arritja e të gjitha këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë është thjesht e pamundur”, shtoi ai.
Mitsotakis paralajmëroi se vështirësitë janë përpara, pasi priten erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit. Mitsotakis vuri në dukje se, së bashku me Mbrojtjen Civile, qeveria ka hartuar një plan emergjence, duke vendosur gjashtë rajone, përfshirë Atikën, në gjendje alarmi të kuq./Motilokal.com
