Maqedonia e Veriut sot dhe nesër në fazën e portokalltë nga temperaturat e larta

Maqedonia e Veriut sot dhe nesër në fazën e portokalltë nga temperaturat e larta

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se sipas paralajmërimit të Drejtorisë për Çështje Hidrometeorologjike, gjatë dy ditëve të ardhshme (4-5 gusht), i gjithë territori i vendit do të përfshihet nga temperaturat e fazës së portokalltë (alarmuese).

Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se në përputhje me Planin Aksional për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës, është e nevojshme të respektohen masat e përgjithshme për mbrojtjen e shëndetit, siç janë:

"Lirimi nga përgjegjësitë e punës i grupeve më të prekshme të popullatës, përfshirë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Mos praktikoni aktivitete fizike në institucionet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) dhe mos i nxirrni fëmijët jashtë në periudhën nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 17 pasdite. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq i RMV-së dhe Qendrat për Çështje Sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit duhet të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë për njerëzit e vetmuar, të vjetër dhe të dobët dhe të pastrehët. Duke pasur parasysh faktin se disa procese të caktuara të rrezikshme prodhuese dhe teknologjike mund të përbëjnë rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar dispozitat ligjore në këtë fushë", thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se gjatë ditëve jashtëzakonisht të nxehta të qëndrohet më shumë në hapësira të mbyllura (kryesisht me ajër të kondicionuar), ndërsa gjatë qëndrimit të nevojshëm jashtë në këtë periudhë, të gjendet mundësi për pushime më të shpeshta në hije.

Ministria e Shëndetësisë këshillon që të visheni me veshje të lehta dhe të ndritshme, ndërsa në ekspozim të drejtpërdrejtë në diell, mbani syze dhe një kapelë dhe përdorni krem me faktor të lartë mbrojtjeje. Hani më pak ushqim, kryesisht fruta dhe perime, dhe më pak ushqime yndyrore. Pini shumë lëngje, më së miri ujë të thjeshtë dhe shmangni pijet alkoolike. Kur hyni në një automjet, është e nevojshme të ventiloni atë për një periudhë të caktuar. Njerëzit me sëmundje kronike këshillohen që të marrin rregullisht terapinë e përshkruar, në konsultim me mjekët amë./Motilokal.com