Ndryshimi i klimës ka rritur rrezikun e zjarreve në pyje në të gjithë Evropën. Sidoqoftë, zonat e djegura në rajonin e Mesdheut kanë rënë që nga viti 1980, të cilat shifra janë indikatorë që përpjekjet për të kontrolluar zjarrin kanë qenë efektive. Në zonën e Evropës Qendrore dhe Veriore janë shfaqur zjarret në pyje, e që nuk janë karakteristikë për këto hapësira, në të cilat viti 2018 ishte viti me më së shumti zjarre në këto hapësira, e kjo lidhet gjithashtu edhe me thatësirat rekorde dhe valët e të nxehtit që kanë qenë të pranishme në këto hapësira gjeografike. Në parashikimet e agjencive që merren me kontrollin dhe parandalimin e zjarreve në pyje, parashikohet që shumica e rajoneve të Evropës janë të prirura të preken nga zjarret në pyje, andaj është më se e nevojshme të ngritën kapacitetet për parandalim, monitorim dhe menaxhim të këtyre dukurive.
Zjarret në pyje janë thelbësore për shumë ekosisteme, për shembull për rigjenerimin e pyjeve, për të ndihmuar në kontrollin e dëmtimit të insekteve dhe sëmundjeve, dhe për të zvogëluar grumbullimin e karburantit dhe në këtë mënyrë intensitetin e zjarrit në të ardhmen. Sidoqoftë, zjarret e shpeshta dhe në shkallë të gjerë kanë ndikime negative në cilësinë e ajrit dhe ujit, biodiversitetit, tokës dhe estetikës së peizazhit. Zjarret në pyje gjithashtu kërcënojnë zbutjen e ndryshimeve klimatike, pasi ato lëshojnë sasi të mëdha të gazrave serë dhe ato mund të shkaktojnë dëme ekonomike dhe humbje të jetës njerëzore në zonat e populluara.
Rreziku i zjarreve në pyje varet nga shumë faktorë përfshirë kushtet klimatike. Ndryshimet klimatike në të ardhmen pritet të kenë ndikim të fortë në rreziqet e zjarrit në pyjet e Evropës, e cila gjithashtu parashikohet edhe në Strategjinë e BE-së për adaptimin ndaj ndryshimit të klimës. Për t’i monitoruar tendencat nga zjarret në pyje, Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarre në Pyje (EFFIS), i menaxhuar nga Qendra e Përbashkët e Kërkimit (JCR) raporton për numrin e zjarreve dhe zonave të djegura, dhe të dhënat e tyre konsiderohen si pika shumë të forta në politikat e ardhshme në këtë fushë.
Nga të dhënat duke filluar nga viti 1980, evidentohen se zonat e djegura janë ulur që nga viti në fjalë. Nga të dhënat e publikuar, vërehet se shteti i Portugalisë si i vetëm ka rritje të shkallës së djegieve të sipërfaqeve pyjore, e cila në shumë raste është përcaktuar nga kushtet meteorologjike. Gjithashtu për shumë vende evropiane, të dhënat që janë të disponueshme janë ato që nga viti 1992, në të cilat vërehet se zjarret në pyje të vitit 2018 ishin ato më të mëdha të regjistruara ndonjëherë, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Veriore. Shumë skena me zjarre ekstreme dhe sezona shkatërruese të zjarrit në Evropë u drejtuan nga kushtet e rënda të motit, me thatësira rekorde dhe valë të të nxehtit që ndodhën në pranverë dhe verë 2017 dhe 2018.
Për shembull, Suedia përjetoi sezonet e saj më të këqija të zjarrit ndonjëherë në 2018 dhe kërkoi ndihmë ndërkombëtare për zjarrfikës.
Strategjia e BE-së për adaptimin e klimës synon të ndërtojë një Evropë të qëndrueshme ndaj klimës duke zbutur pasojat negative të ndryshimit të klimës, siç janë ndikimet e zjarreve në pyje, deri në vitin 2050./Motilokal.com
