Zona përreth Liqenit të Ohrit si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut mbeti në listën e pasurive të mbrojtura nga UNESCO, por do të monitorohet rreptësisht.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore në kuadër të Organizatës së OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në seancën e 44-të plenare të mbajtur në Kinë vendosi t’i japë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë një afat shtesë për të vepruar në përputhje me rekomandimet e Misioneve Reaktive të UNESCO-s.
Pra rajoni i Ohrit nuk përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore në Rrezik.
UNESCO e përshkruan Liqenin e Ohrit si një “fenomen natyror superlativ” dhe një strehë për një numër të madh të specieve endemike të florës dhe faunës. Disa prej tyre datojnë nga periudha terciare, e cila është më shumë se 66 milionë vjet më parë.
Ohri është gjithashtu shtëpia e një prej vendbanimeve më të vjetra njerëzore në Evropë. Për më tepër, është shtëpia e manastirit më të vjetër sllav, më shumë se 800 ikona bizantine nga shekulli 11-14 dhe mbetjet e ndryshme të vendbanimeve parahistorike. Ekziston edhe një kishë në gadishullin Lin që daton nga mesi i Shekullit VI.
Ndryshimet e miratuara në projektvendimin e propozuar nga grupi i punës nënkuptojnë fshirjen e dispozitës që parashikonte zhvendosjen e rajonit të Ohrit në listën e vlerave të rrezikuara, si dhe korrigjimet në një pjesë të vendimit me afate shtesë të përcaktuara saktësisht për të vepruar në rekomandimet dhe monitorimi i rreptë i aktiviteteve.
Vendimi u parapri nga një diskutim shtesë tre-ditor i Komisionit të Trashëgimisë Botërore me komisionet e Bosnjës dhe Hercegovinës, Norvegjisë, Rusisë dhe Bahreinit për të pajtuar qëndrimet e kundërta mbi propozimin e Bosnjës për t’i dhënë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dy vjet shtesë për të përmbushur rekomandimet e përfshira në Raportet e UNESCO-s./Motilokal.com
