A ndikuan ndryshimet klimatike në përmbytjet në Gjermani?

A ndikuan ndryshimet klimatike në përmbytjet në Gjermani?

Nga Isabelle Gerretsen

Ndërsa udhëheqësit gjermanë reaguan ndaj disa prej përmbytjeve më të këqija që kanë goditur Evropën perëndimore në dekadat e fundit, kishte shumë ngjashmëri në mesazhet e tyre. Këto ngjarje janë tronditëse, por duke pasur parasysh gjendjen e krizës së klimës, mbase nuk janë edhe aq të papritura.

"Ne kemi përjetuar thatësira, reshje të mëdha shiu dhe ngjarje përmbytjesh disa vjet me radhë, duke përfshirë edhe shtetin tonë", tha Malu Dreyer, guvernatori i shtetit Rhineland-Palatinate, një nga zonat më të prekura. “Ndryshimi i klimës nuk është më abstrakt. Ne po e përjetojmë nga afër dhe me dhimbje”.

Armin Laschet, kryeministri i Nordrhein-Westfalen i cili pritet gjerësisht të zëvendësojë Angela Merkel si kancelar këtë vit, i bëri jehonë kësaj pikëpamjeje.

"Ne do të përballemi me ngjarje të tilla pa reshtur, dhe kjo do të thotë që ne duhet të përshpejtojmë masat e mbrojtjes së klimës, në nivele evropiane, federale dhe globale, sepse ndryshimi i klimës nuk është i kufizuar në një shtet", tha ai.

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga shkencëtarët e klimës se rritja e temperaturave dhe emetimet e karbonit po çojnë në ngjarje ekstreme më të forta dhe më të shpeshta të motit, ekspertët i kanë thënë The Independent se intensiteti dhe shkalla e përmbytjeve në të gjithë Gjermaninë perëndimore ishin të papritura.

"Intensiteti i reshjeve ishte i jashtëzakonshëm në një zonë mjaft të madhe, në shumë vende duke përfshirë qytetin e Këlnit, rekordet e të gjitha kohërave të reshjeve ditore janë tejkaluar deri më tani", tha profesori Dieter Gerten nga Instituti i Potsdamit mbi Kërkimet për Ndikimin e Klimës.

Rekordet historike të nivelit të ujit për shumë rrjedha të vogla u thyen gjithashtu, pjesërisht edhe për faktin se toka ishte e bllokuar nga uji nga reshjet e mëparshme, shtoi ai.

Shkencëtarët paralajmërojnë se Evropa do të përjetojë ngjarje më ekstreme të motit, të tilla si përmbytjet e kësaj jave, për shkak të ndryshimit të klimës.

"Përmbytjet që ndodhin në Evropë tani për fat të keq janë plotësisht në përputhje me parashikimin e shkencës dhe ngjarje si kjo do të bëhen më të zakonshme", i tha Shaun Harrigan, një shkencëtar në Qendrën Evropiane për Parashikimin e Motit për periudhat afatmesme.

Sipas Harrigan, gjatë 50 viteve të fundit në Evropën Veriore ekziston një tendencë e qartë e shtimit të reshjeve, ndërsa në Evropën Jugore, pakësimi i reshjeve dhe avullimi në rritje, ka çuar në një reduktim të përmbytjeve nga ana e lumenjve.

Temperaturat më të larta do të sjellin reshje më të forta dhe të shpeshta të shiut gjatë dekadave të ardhshme, thotë Friederike Otto, drejtoreshë e asociuar e Institutit të Ndryshimit të Mjedisit në Universitetin e Oksfordit. “Sa më e lartë ngrohja globale, aq më shumë reshje shiu do të ketë”, thekson ajo.

Kur atmosfera është më e ngrohtë, ajo bart më shumë avuj uji, gjë që çon në më shumë reshje shiu, ndërsa edhe ndryshimet në përbërjen atmosferike dhe sa i përket rritjes së temperaturave, mund të ndryshojnë presionin e sistemeve të motit, gjë që mund të sjellë më shumë reshje shiu, thekson Otto.

Hulumtimet tregojnë se ndryshimet klimatike po i ngadalësojnë ngjarjet gjatë një stuhie, thotë Harrigan. Një studim i botuar muajin e kaluar, arriti në përfundimin se stuhitë me lëvizje të ngadaltë mund të bëhen 14 herë më të shpeshta deri në fund të këtij shekulli, pikërisht për shkak të ndryshimit të klimës.

“Stuhitë e mëdha me lëvizje të ngadaltë, të cilat mund të ‘ngecin’ mbi një zonë, kanë më shumë kohë për të hedhur më shumë reshje mbi tokë. Këto kushte atmosferike, krijojnë mundësinë e ndodhjes së përmbytjeve më intensive dhe në hapësira më të gjera në të ardhmen”- thekson Harrigan./Motilokal.com